Policia shqiptare - Foto: Facebook

Operacion i policisë shqiptare e greke, dy të arrestuar për 200 kilogramë narkotikë

Policia e shtetit shqiptar ka njoftuar se janë arrestuar dy persona, shtetas grekë, pasi të njëjtit kanë transportuar rreth 198 kilogramë lëndë narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Livadhjasë në Sarandë gjatë patrullimit në kufirin jeshil, nëpërmjet mjeteve logjistike kanë konstatuar se disa persona po transportonin çanta të dyshuara me lëndë narkotike në drejtim të piramidave P.51 e P.52.

Policia e shtetit ka njoftuar se Policia Kufitare e Livadhjesë ka kontaktuar me Policinë e Igumenicës të cilët janë vënë në lëvizje duke mbajtur në monitorim zonën.

“Mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur “Dhafni” Filat, Policia e Igumenicës ka kapur dy shtetas grekë, E.K, 50 vjeçar  banues në Trikalla dhe G.S, 51 vjeçar banues në Athinë, të cilët transportonin me një mjet “Mercedes”, të marrë me qira nga E.K, rreth 198 kilogramë lëndë narkotike” njofton policia e shtetit.

Policia e shtetit ka njoftuar se janë në kërkim të personave që u kanë shitur lëndën narkotike dy shtetasve grekë.