Familje siriane largohen nga zonat e luftës - Foto: REL/AFP

OKB sërish sheh rreziqe të mëdha në Siri

Mijëra sirianë janë bllokuar si pasojë e betejave në Siri apo janë duke u përballur me vështirësi për t’u kthyer në shtëpi, ndonëse në dy muajt e fundit është qetësuar situata në veriperëndim të këtij shteti, kanë njoftuar të enjten Kombet e Bashkuara.

Shtatë vjet e gjysmë të luftës kanë rezultuar me “izolim” të forcave rebele në provincën Idlib.

Turqia fqinje dhe Rusia janë pajtuar për një plan të armëpushimit në Idlib, duke bllokuar përpjekjet e Qeverisë siriane për ofensivë, e cila është përshkruar nga OKB-ja si mundësi e shkaktimit të katastrofës humanitare.

Këshilltari humanitar, Jan Egeland ka thënë se në dy muajt e fundit, provinca ka qenë në situatën më të qetë në krahasim me pesë vjetët e fundit.

Megjithatë zhurmat e granatave dëgjohen ende përgjatë perimetrit të Idlibit dhe 2-3 milionë civilë së bashku me 12,000 punëtorë humanitarë nuk kanë njohuri se sa do të vazhdojë situata e qetë.

“Ka shenja se gjëra të këqija mund të ndodhin, përveç nëse do të ketë pika të kthesës në negociatat me grupe të armatosura”, ka thënë Egeland para gazetarëve në një takim të rregullt të OKB-së për Sirinë.

“Skenari më i keq është se ende mund të ketë luftë të tmerrshme, mirëpo jam optimist pasi Rusia dhe Turqia na kanë treguar planet e tyre. Nuk mendoj se do të ketë luftë të madhe në këtë kohë në Idlib”, është shprehur ai.

Rusia dhe Turqia kanë thënë se do të rrisin mundësinë për parandalim të aksionit ushtarak në rast se pozicionet e tyre nuk sulmohen.

Mirëpo mijëra rebelë, duke përfshirë luftëtarë të listuar nga OKB-ja si terroristë, vazhdojnë te jenë në Idlib andaj Egeland ka thënë se ka pak shenja që ata do të kenë gatishmëri për të negociuar apo për të uluar armët për aministi. (REL)