Dëgjimi publik | Foto: KALLXO.com

OJQ-të Tregojnë Mangësitë e Projektligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

Në dëgjimin publik të KDI-së deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se ka marrë disa rekomandime të organizatave të shoqërisë civile për Draft-projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Mungesa e sanksioneve, hapësirat për të mbajtur poste të tjera publike, fakti që draft-projekligji u referohet ligjeve tjera dhe mungesa e koordinimit të institucioneve rreth legjislacion kanë qenë shqetësimet që i kanë paraqitur përfaqësues të disa organizatave jo-qeveritare.

Selatin Kllokoqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, tha se duhet të bëhet e qartë se a lejohet të paguhen zyrtarët e lartë shtetërorë nga aktivitetet e tjera me të cilat merren.

Përveç kësaj ai e përmendi se drafti flet vetëm për ndalimin e zyrtarëve të lartë në pjesëmarrje në dy e më shumë ndërmarrje publike.

Sipas Kllokoqit, ligji duhet të jetë i shkruar në një mënyrë që zyrtarët e lartë “të mos jenë pjesë të bordeve (të drejtorëve të asnjë ndërmarrjeje publike)”.

Ai gjithashtu e shtroi një pyetje që pritet t’u bëhet anëtarëve të Komisionit për Legjislacion.

Kllokoqi pyeti se “përse janë të parapara vetëm 7 profesione” si pozita që nuk mund t’i ushtrojnë zyrtarët e lartë.

Në mes të këtyre janë profesioni i avokatit, përmbaruesit privat, noterit dhe profesioneve të tjera të lidhura me fushën juridike.

Gjithashtu, ai e tërhoqi vërejtjen për ngrirjen e pozitave apo siç njihet ndryshe pezullimin e tyre, e cila, sipas tij, vazhdon të jetë e mundshme në bazë të draftit aktual.

Ndërkaq, Nehat Miftari nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, tha se formulimi i ligjit ka mangësi pasi që u referohet ligjeve të tjera.

“Do të ishte mirë që ky ligj t’i evitojë definicionet (formulimet) ‘përveç nëse paraqitet ndryshe me ligj tjetër’”, tha ai.

Florent Spahija nga KDI tha se vërejtjet kryesore të organizatës kanë qenë rreth sanksioneve ligjore.

Spahija tha se e kanë rekomanduar “të drejtën e sanksionimit përmes Agjencionit Anti-Korrupsion”.

Ai dha edhe një propozim se si mund të funksionojë sanksionimi.

“Në rast se agjencia ka lëshuar vendim e nuk është respektuar agjencia të ketë të drejtë ta gjobisë atë (personin që ka pasur konflikt interesi). Por edhe nëse ajo gjobë nuk paguhet, të jetë e mundshme të dërgohet në kundërvajtje”, tha ai.

Ndërkaq, Visar Rushiti nga OJQ-ja Demokraci + foli për nevojën për koordinim në mes të ligjvënësve.

“Ka shumë ligje që po shkruhen në të njëjtën kohë dhe shkruhen ndaras”, tha Rushiti.

Në fund të mbledhjes Kurteshi u shpreh se të gjitha rekomandimet e organizatave do t’i paraqiten edhe deputetëve që janë anëtarë të grupit punues për këtë projektligj nga Komisioni për Legjislacion.