OJQ- të kërkojnë nga komunat ndëshkime për mospërmbushjen e rekomandimeve të auditorit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), dhe OJQ-të partnere YAHR, ISDY, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni, në partneritet me USAID në kuadër të aktivitetit për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse, përmes një konference për media shpalosën të gjeturat kryesore të raportit “Menaxhimi i parasë publike në sytë e Auditorit të Përgjithshëm”.

Në këtë raport u pasqyruan të gjeturat e raportit të auditorit për gjashtë komuna si Prizren, Suharekë, Ferizaj, Lipjan, Podujevë dhe Istog, për vitin 2017.  Poashtu u dhanë edhe rekomandimet ku u kërkua ndëshkim për mos përmbushje të rekomandimeve të auditorit.

Diana Metushi Krasniqi nga KDI, tha se të gjeturat e raportit të ZKA-së , përsëriten nga viti në vit por asnjëherë nuk realizohen rekomandimet.

“Në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), janë një numër i gjetjeve të cilat përsëriten nga viti në vit, e që shpërfaqin problemet lidhur me planifikimin dhe shfrytëzimin e buxhetit, menaxhimin e subvencioneve, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, procedurat e prokurimit, dhe faturimin apo pagesat për mallra dhe shërbime dhe investime kapitale”, tha ajo.

Bekim Krasniqi nga organizata YAHR tregoi për gjetjet e raportit të Komunën e Ferizajt ku i përmendi edhe ngecjet.

“Raportet e auditorit për periudhën 2015-2017 për komunën e Ferizajt, theksojnë dobësi në qeverisje në raport me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial”. Këto gjetje, të cilat vazhdojnë të  përsëriten në të gjitha raportet e ZKA që nga viti 2015 tregojnë për probleme sistematike përderisa niveli zbatimit të rekomandimeve nga vitet paraprake vazhdon të jetë i ulët”, tha ai.

Erolina Morina nga organizata ISDY tha  se raportet e auditorit për komunën e Prizrenit për periudhën 2015-2017, reflektojnë dobësi sistematike në menaxhimin e kontratave për investime kapitale, lidhjen e kontratave publike jashtë planit vjetor të prokurimit në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe kosto shtesë dhe sfida buxhetore për komunën si rezultat i planifikimit jo të saktë të projekteve.

Ndërsa për komunën e Suharekës ajo përmendi një varg vërejtjesh.

“Problemet sistematike në raportet e auditorit janë: parregullsitë në kalkulimin e të hyrave për tatimin në prone dhe të hyrave tjera; menaxhimi jo i duhur i pasurisë; realizimi i ulët i buxhetit për investime kapitale; dhe mangësitë në menaxhimin e detyrimeve ndaj furnitorëve”, tha ajo.

Shpend Sopa nga organizata Ekovizioni foli për Komunën e Podujevës përmendi një numër të madhe të ngecjeve.

“Ekzistojnë disa mangësi sa i përket qeverisjes brenda komunës së Podujevës, veçanërisht në lidhje me mos zbatimin e plotë të rekomandimeve nga viti paraprak, realizimin e buxhetit dhe kontratave të nënshkruara në mungesë të buxhetit, ndarja e prokurimeve dhe përdorimi i procedurave minimale, si dhe iniciativa modeste për mbledhjen e të hyrave”, tha ai.

Koalicioni i organizatave për monitorimin e prokurimit publik dhanë gjashtë rekomandime për komunat në fjalë.

Kryetarët të komunave të zbatojnë ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, respektivisht të ndërmarrin masa disiplinore, deri te shkarkimi i zyrtarëve financiar për dështimet sistematike të konstatuara nga Auditori i Përgjithshëm.

Kryetarët e komunave të fuqizojnë rolin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm dhe nga udhëheqësit e drejtorive të kërkohet llogaridhënie kundrejt rekomandimeve të lëshuara nga NjAB, dhe ZKA duke përgatitur planet e veprimit me kohë dhe duke ju përmbajtur afateve kohore për zbatimin e këtyre planeve të veprimit.

Në kuadër të sigurimit të kontrollit, në fushat e identifikuara si problematike, të rritet angazhimi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të shkeljeve të mundshme, si dhe të rritet niveli i inspektimeve përcjellëse dhe adresuar këto rekomandime në një kohë sa më të shpejtë.

Ministria e Administrimit së Pushtetit Lokal të vendos ndarjen e granteve për komunat në bazë të performancës dhe menaxhimit financiar që konstaton raporti i Auditorit të përgjithshëm,

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik të identifikojë mangësitë në sistem dhe të iniciojë ndryshime ligjore që përmirësojnë sistemin aktual të prokurimit dhe adresojnë problemet sistematike lidhur me planifikimin e prokurimeve, ndarjen e prokurimeve në vlera minimale, dhe menaxhimin e kontratave.

Ministria e Financave të rishikojë politikat aktuale me qëllim të parandalimit të hyrjes në obligime të Organizatave Buxhetor pa zotim të mjeteve, si dhe të rishikoj politikat aktuale me qëllim të përmirësimit të situatës me pagesat e pa mbështetura dhe humbjen e parasë publike si pasojë e vonesave në përmbushjen e obligimeve dhe ekzekutimet përmes procedurave përmbaruese.