OJQ-të kërkojnë ndëshkueshmëri të dhunës në familje

Fenomeni në rritje i dhunës në familje po konsiderohet edhe pasojë e pandëshkueshmërisë, në raportin e fundit të disa organizatave joqeveritare.

KIPRED, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Artpolis sot prezantuan raportin hulumtues ‘’Qasja në Drejtësi për Viktimat e Dhunës në Bazë Gjinore në Kosovë: Përfundimi i pandëshkueshmërisë për autorët e krimeve’’.

Ky raport flet për dhunën në familje, dhunën në baza gjinore dhe neglizhencën në trajtimin e këtyre rasteve nga organet e drejtësisë, që si pasojë ky fenomen këtë vit ka shënuar rritje.

Që nga paslufta, janë shënuar 34 vdekje si pasojë e dhunës, ku kryesisht kanë qenë gra, ndërsa vetëm këtë vit janë shënuar 8 vdekje.

Njomza Arifi nga GLPS, gjatë prezantimit, ka treguar konkretisht për qëllimin e këtij raporti.

‘’ Raporti analizon qasjen në procesin e drejtësisë për viktimat e dhunës në baza gjinore, duke përfshirë dhuna në familje,dhuna seksuale si dhe krimet e dhunshme kundër komunitetit LGBT. Gjithashtu ky raport analizon ligjet dhe politikat ekzistuese si dhe zbatimin e tyre në praktikë. Për më tepër ky raport i referohet kërkesave dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, sidomos Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave ose dhunës në familje ose siç njihet ndryshe edhe Konventa e Stambollit’’, ka thënë Arifi.

Ndërsa Avokati i Popullit Hilmi Jashari, ka shprehur shqetësimin se çka do të ndodhë pas publikimit të këtij raporti dhe tek kush duhet të adresohet ky raport.

‘’ Pyetjen e parë që do ta kisha shtruar për gjithë neve që jemi prezentë do të ishte çka më tutje? Çfarë do të ndodhë me raportin kualitativ, shumë cilësorë. Kujt do t’ia adresojmë edhe a keni shpresë që do të merrni një përgjigje së paku në gjithë këtë punë që është bërë për të trajtuar një problem që vazhdon me mbetë në shoqërinë tonë. Nuk ka asnjë mekanizëm që e shqyrton me vëmendje këtë raport. Edhe ne si institucion para dy viteve e kemi adresu një rekomandim kryeministrisë së Kosovës, me të cilin kemi thënë se edhe vetë kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin e të drejtave të njeriut dhe njëherë së paku të raportonte në Kuvend, se çfarë ka bërë kryeministri i vendit në fushën e të drejtave të njeriut’’, ka deklaruar Jashari.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se ende nuk ka përkrahje institucionale ndaj dhunës në familje. Ajo ka thënë se ligjet ekzistojnë por nuk ka zbatim të tyre. Sipas saj kjo është përgjegjësi e plotë e shtetit.

‘’ Kemi mos implementim të ligjeve, i kemi mekanizmat më të mirë në rajon por nuk kemi implementim. Unë këtë raport që publikohet sot e quaj me një titull tjetër ‘realitet i dhimbshëm në Kosovë’.  Rrjeti i Grave disa herë ka angazhuar avokat për t’i rigjykuar rastet e dhunës ndaj grave, ku më pas janë shpallur fajtorë dhunuesit, por kjo nuk është përgjegjësi e jona por është e shtetit.

Rogova ka treguar edhe për një rast ku sipas saj është bërë diskriminim ndaj gruaje të dhunuar.

‘’Është realitet i dhimbshëm në Kosovë, kur burri e vret hajnin dhe gjithë shoqëria kosovare e lavdëron këtë njeri sepse thotë se e ka mbrojtë shtëpinë e vet, ndërsa ai ka me dalë pa ‘therrë’ në këmbë. Por njëkohësisht kemi rast në burgun e Lipjanit ku një grua me vite që është dhunu, që vazhdimisht është kërcënuar me vdekje, kur burri i vjen me sopatë te koka në mëngjes dhe ajo aksidentalisht duke u mbrojt e pren burrin dhe ajo grua tani është në burg dhe do t’i marrë 30 vjet burg siç kanë marrë disa gra të tjera, vetëm pse ka mbrojtë jetën e saj dhe të fëmijëve. Ka vra në vetëmbrojtje’’, ka deklaruar Rogova.

Raporti gjithashtu ka dalë edhe me rekomandime dhe konkludime, ku një nga rekomandimet është që duhet të ndryshohet urgjentisht Kushtetuta e Kosovës dhe të përfshihet Konventa e Stambollit në të.

Pjesë e panelit gjatë prezantimit të raportit ishin edhe Annette M. Faith-Lihic Këshilltare Politike në Zyrqn e Bashkimit Evropian në Kosovë, Albulena Haxhiu Kryetare e Komisionit pqr Legjislacion dhe Ariana Qosaj-Mustafa nga KIPRED, që është bashkëautore e raportit.