Ilustrim: Jeta Dobranja/Trembelat

Oda Amerikane kundër iniciativës për lejimin e importit të automjeteve të vjetra

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka kundërshtuar propozimin që të ndryshohet ligji për Automjetet për të mundësuar importin e veturave të vjetra.

“Duke marrë në konsideratë faktin alarmant të moshës mesatare të automjeteve të regjistruara në Kosovë e cila është më e lartë se 18 vjeçare, Oda Amerikane u bën thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos e aprovojnë ndryshimin e Nenit 44 të Ligjit Nr. 05/L-132 mbi Automjetet i cili parashikon ndalimin e importit të automjeteve të cilat janë më të vjetra se 10 vjet”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Oda Ekonomike Amerikane.

Çdo ndikim pozitiv nga një politikë e tillë në buxhetin e Kosovës, sipas OEAK-së, do të mbi peshohej nga efektet e dëmshme që do t’i shkaktoheshin mjedisit, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Oda Amerikane përkrah standardet dhe iniciativat e Komisionit Evropian për të përmirësuar emetimet e gazrave të cilat vijnë si rezultat i automjeteve të lehta dhe të rënda. Për më tepër, ne besojmë fuqishëm se ndryshimi i Ligjit nr. 05/L-132 do të rriste nivelet e ndotjes të cilat edhe ashtu raportohen më të larta dhe në periudha të caktuara të vitit, si ajo e dimrit të vitit 2017, krijojnë shqetësime për qytetarët. Nuk ka dyshim se një veprim i tillë do të ndikonte negativisht në mjedis dhe do të kishte implikime të mëdha shëndetësore”, thuhet në reagimin e OEAK-së.

Sipas tyre të dhënat e Bashkimit Evropian tregojnë se më shumë se 70.000 vdekje u atribuohen lirimit të nivelit të lartë të dioksidit të azotit (NO2) nga makinat e vjetra me naftë. Për shkak të pasojave të mëdha në mjedis dhe në shëndetësi, Gjermania në përgjithësi ka hapur derën për grupet mjedisore për të paditur qytetet të cilat nuk i plotësojnë standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian në lidhje me ajrin e pastër; duke rezultuar që Hamburgu të bëhet qyteti i parë gjerman për të ndaluar automjetet e vjetra me naftë. Ndërsa edhe kryeqyteti i Francës, Parisi ka ndaluar automjetet të cilat janë regjistruar para vitit 2000, me qëllim kryesor për të luftuar ndotjen e ajrit në qytet.