Ruairi O'Connell - Foto: Drejtësia në Kosovë

O’Connell për punësimet politike: Ku është opozita?

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell duke folur për punësimet politike në Kosovë vuri në pah edhe neglizhencën e partive politike opozitare për ketë fenomen.

Sipas tij, një diplomat nuk duhet ta luaj rolin e opozitarit, andaj edhe i shtron pyetje opozitës, “se ku janë”, kur po diskutohet me punësimet politike.

“Nuk dua ta shfajësoj askënd. As nuk dëshiroj që qytetarët të mendojnë që Bashkësia Ndërkombëtare në Kosovë duhet luaj rolin e opozitës. Ky nuk është roli i diplomatit, me qenë opozitar, me kundërshtu Qeverinë ose me përfaqësu popullin. Ku është opozita, ku është opozita në këto sene ?!”, tha O’Connell.

Sipas tij janë mediat dhe shoqëria civile që i ka ngritur këto çështje, ndërsa thotë se opozitën po e dëgjon pak duke folur për këtë fenomen.

“Nëse hezitojnë me reagu publikisht, të krijohet përshtypja që edhe ata kanë të njëjtën dëshirë që me e mbush administratën me njerëz të vet kur të vijnë në pushtet”, tha në mes tjerash O’Connell.