Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë

O’Connell: Nuk e di si ta arsyetoj para Londrës vazhdimin e investimeve në Kosovë – VIDEO

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka dhënë një mesazh të qartë në emisionin “Drejtësia në Kosovë” kur ka folur për emërimet e njerëzve joprofesional në pozitat kyçe nëpër institucione publike në Kosovë.

Ai në intervistën dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë” thotë se nuk e di se si mund të arsyetoj në Londër kërkesën për investime në Kosovë, kur kjo e fundit nuk tregon interes.

“Nuk e di si mund ta arsyetoj unë duke folur me Londrën, se pse duhet të vazhdojmë të investojmë në këtë fushë ose fushën tjetër, kur Kosova s’ka interes”, tha O’Connell.

Sipas tij, fakti, që Kuvendi i Kosovës ka votuar për të emëruar Naser Shalën, i njohur si “Ftyra” në Agjencinë për Verifikimin e Pronave, tregon se ndihma e Britanisë së Madhe nuk është e mirëseardhur në Kosovë.

Sipas tij, Britania mund të shkoj të ndihmojë në vende tjera të botës.

“Kjo ka qenë shenjë e drejtpërdrejtë për ne që ne nuk do të dëgjohemi. Më vjen keq që ndihma e Britanisë nuk është e mirëseardhur për Kosovën. Ok, ne kemi shumë vende nëpër botë që kërkojnë ndihmën e Britanisë, ne mund të shkojmë edhe atje, por unë e di që qytetarët janë të frustruar me këtë praktikë. E di që njerëzit ndihen të lodhur, por nëse vazhdojnë t’i përkrahin këta politikanë, këta deputetë që votojnë këta njerëz këtë kulturë vit pas viti, çfarë duhet të bëjmë ne. Kemi arritur në një moment që Kosova duhet ta kuptoj se sa është zhgënjyer Bashkësia Ndërkombëtare me këto praktika”, tha O’Connell në intervistën dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë.

“Ne si Bashkësi Ndërkombëtare kemi investuar miliona në këtë Agjenci, është zhvilluar shumë, ka pasur lidership profesionist, ne kemi ofruar ndihmën tonë për rekrutim dhe në fund të procesit është punësuar dikush që nuk ka aftësi, nuk ka kualifikime por ka lidhje politike”, tha tutje ambasadori O’Connell.

Sipas tij, të gjitha partitë politike në Kosovë kanë qenë të njoftuar se Naser Shala nuk i plotëson kriteret për këtë Agjenci.

“Ne ua kemi dërguar raportin krejt deputetëve, të gjitha partive në qeveri, të gjithë kanë qenë në dijeni. 29 deputetë s’kanë votuar për këtë zotëri, 50 kanë votuar për. Nuk është problemi një parti, ose tjetër, të gjithë në Qeveri kanë votuar. I kanë dhanë vulën praktikës së nepotizmit, kanë mohuar kulturën e profesionalizmit.

 

 

13 Prill 2019 - 13:36

Taulant Osmani 13/04/2019 - 13:36
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend