Ruairi O'Connell - Foto: KALLXO.com

O'Connell: Krimin e korrupsionin luftojini vetë

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell ka thënë se i takon Kosovës si shtet i pavarur të luftojë krimin dhe korrupsionin, pasi nuk ka rast në botë që janë rregulluar problemet e një vendi, të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i pritur të huajt të vijnë.

Këto deklarimet ambasadori i bëri duke iu përgjigjur pyetjes së një komentuesi në Facebook, i cili e pyeti atë se a ka shpresë për ndërhyrje serioze ndërkombëtare në Kosovë, për neutralizimin e të korruptuarve.

“Jo, mos keni shpresë hiç, asnjë pikë shprese, për ndërhyrje ndërkombëtare. Kosova është shtet i pavarur. Nuk ka rast në botë që janë rregullu problemet e një vendi, të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i pritur të huajt me ardh. Askush nuk ka me ta ndreqë shtëpinë, duhesh me bo vetë. Bone vetë”, ka shkruar ambasadori britanik.

O ‘Connell ka shtuar se do të vazhdojë të kërkojnë përmirësime në këtë drejtim.

“Por, ne do të vazhdojmë të kërkojmë përmirësime, sepse krimi i organizuar në Kosovë na dëmton neve dhe nuk e pranojmë më. Dhe nëse ka vullnet politik për të ndryshuar sendet, qoftë nga qeveria qofte nga një qeveri tjetër, ne do të jemi pranë politikanëve që me të vërtetë dëshirojnë të luftojnë krimin dhe korrupsionin”, thuhet në përgjigjen e ambasadorit.