Ruairi O'Connell - Foto: KALLXO.com

O’Connell: Kosova nuk mund të krijojë tribunal ndërkombëtar për krimet e luftës

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka deklaruar se Kosova nuk mund të krijojë një Tribunal ndërkombëtar për krimet e luftës së fundit në Kosovë.

Ambasadori britanik, të enjten në një bashkëbisedim me përdorues të Facebook-ut, ka shtuar se Kosova ka gjykatat e saj të cilat duhet të kenë interes që t’i gjykojnë krimet e kryera gjatë luftës.

“Kur po flet për një tribunal ndërkombëtar për krime dhe gjenocid serb, jam pak i brengosur për terminologjinë. Kosova ka sistem gjyqësor, i cili mund të gjykojë krimet që janë kryer në territorin e Kosovës, pse nuk po e përdorni atë? Kosova nuk mund të krijojë një tribunal ndërkombëtar. Kosova ka gjykatat e saj të cilat duhet të kenë interes t’i gjykojnë krimet e kryera gjatë luftës. Dhe ato janë plotësisht të fuqishme ta bëjnë atë”, është shprehur O’Connell.

Por iniciuesi i iniciativës për themelimin e këtij tribunali, kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli po insiston se kjo nismë do të realizohet.

“Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi është fakt i pakthyeshëm dhe duhej të kryente punën e vet pa anshëm dhe profesionalisht, ndërsa Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë po ashtu duhet të ndodh sepse i hap Evropës, Rajonit dhe Kosovës dhe Serbisë një perspektivë të re dhe premtuese”, tha  kryeparlamentari

Fillimi i kësaj iniciative nuk arriti të marrë mbështetje në Kuvendin e Kosovës në seancës e së hënës.

Pas përfundimit të debatit për formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje.

Gjatë seancës sallën e kishin lëshuar partitë opozitare LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa, pas diskutimeve nga ana e deputetëve të partive në pushtet, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, u ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së të kthehen në Kuvend dhe të marrin pjesë në votimin për formimi e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë,

“Unë për fund kam këtë thirrje për vëllezërit tanë të opozitës nga LDK dhe VV. Është mirë me qenë në sallë kur votohet. Kjo ko mu votu, por është mirë që edhe ju të jeni në sallë dhe ta votojmë bashkërisht. Ju kam thirr dhe do të ju thërras çdo herë, kurdo që kërkoni. Nëse jeni hidhëru pse e kam fillu unë këtë iniciativë, jam i gatshëm t’ia bëjmë qysh doni, por kryesore është që duhet mu votu”, tha Veseli.

Në anën tjetër, edhe analistë politik dhe njohës të së drejtës kushtetuese në vend patën theksuar për Gazetën Jeta në Kosovë se  themelimi i një tribunali për krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 vështirë se do të jetë i realizueshëm, për shkak të kompetencave të kufizuara të shtetit të Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe jo vetëm.

Mohimi i krimeve të luftës nuk i ‘relakson’ raportet Kosovë-Serbi