Foto nga takimi i 11 prillit 2015 ndërmjet homologëve Barack Obama e Raul Castro

Obama Arrin në Kubë për një Vizitë Historike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka arritur sot pasdite në Havana për një vizitë historike, e para në Kubë e një presidenti amerikan në detyrë që prej afro një shekulli.

Agjencia AFP njofton se avioni presidencial “Air Force One” ka aterruar pak pas orës 16:15 sipas kohës lokale (21:15 sipas kohës në Evropë) në aeroportin “Jose Marti”, emri i babait të pavarësisë të kësaj ish-kolonie spanjolle.

“Si jeni Kuba?”, ka shkruar në “Tweeter” Obama kur ka arritur në Havana.

Përndryshe, kjo është vizita e parë e një presidenti të Shteteve të Bashkuara në detyrë që nga vizita e Calvin Coolidge e vitit 1928.

Vizita treditore e presidentit Obama synon përafrimin diplomatik mes dy vendeve të armiqësuara që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Në këtë udhëtim presidenti amerikan është i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij.