Shkolla fillore "Halil Alidemaj" në Pozheran, në ndërtim e sipër, Foto: Komuna e Vitisë

Nxënësve të Pozheranit u premtohet shkolla e re për shtator të vitit 2019

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka kërkuar që objekti i ri i shkollës fillore “Halil Alidemaj” në Pozheran të jetë e gatshme në shtator të vitit 2019.

Këtë kërkesë Haliti e shpalosi gjatë vizitës së dy zëvendësministrave të Qeverisë së Kosovës, Sami Hajdaraj dhe Hajredin Hyseni nga Ministria e Administratës Publike, dhe inspektimit të punimeve në  ndërtimin e kësaj shkolle.

Kërkesa e kryetarit Haliti u mirëprit edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë, gjë që edhe punëkryesi u dakordua që të rrisë dinamikën e punëve dhe shkolla e re për nxënësit e Pozheranit të jetë e gatshme më 1 shtator të vitit 2019. 

“Përfaqësuesi i kompanisë punëkryese, u shpreh se projekti do të përfundojë në fund të vitit tjetër, që nënkupton edhe fillimin e mësimit në objektin e ri”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vitisë.

Ndonëse ky projekt ka pësuar disa vonesa të natyrës teknike, përfaqësuesit e Qeverisë u zotuan se ky projekt do të jetë ndër projektet me prioritet, me qëllim që nxënësit e këtij lokaliteti të kenë mundësinë t’i ndjekin mësimet në kushte sa më të mira.

Zëvendësministri i Administratës Publike, Sami Hajdaraj, u shpreh se nga ana e Ministrisë do t’i japin mbështetje finalizimit sa më të shpejtë të këtij projekti dhe se nuk ka pengesa që mund ta ngadalësojnë dinamikën e punës.