Testi i Maturës 2019 - Foto: KALLXO.com

Nxënësi sulmon administruesin e Testit të Maturës në Lipjan

Një nxënës ka sulmuar fizikisht një administrues në qendrën e testimit në shkollën “Mehmet Akif” në Lipjan derisa po mbahej faza e dytë e Testit të Maturës.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një komunikate për media, ku ka shtuar se ky rast është hapur në Polici.

Tutje është thënë se në fazën e dytë të testit që është mbajtur sot në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit janë përjashtuar 40 nxënës.

“Në bazë të raporteve të pranuara nga dy regjionet, të cilat sot kanë organizuar Testin e Maturës, gjatë kësaj dite, për shkak të mospërfilljes së rregullave, janë përjashtuar nga procesi 40 nxënës. Një nga këta nxënës, e ka sulmuar fizikisht një administrues në qendrën e testimit në shkollën “Mehmet Akif” në Lipjan dhe ky rast është hapur në polici”, thuhet në njoftim.

Po ashtu MAShT thotë se gjatë ditës së sotme ndaj një administruesi në qendrën nr. 12 në Ferizaj është hapur procedurë disiplinore.

“Ndërsa, KQShM i bën thirrje organeve të rendit dhe prokurorisë që të marrin masa ndaj atyre që përpiqen të keqpërdorin rrjetet sociale, apo formojnë grupe në viber, me qëllim të komunikimit gjatë mbajtjes së testit”, thuhet tutje.

Faza e dytë e Testit të Maturës ka filluar dje ku dhe në këtë fazë testi ka rrjedhur online.

Përmes një grupi në Facebook “Testi i Maturës 2019”, ata kanë kërkuar ndihmë për pyetjet e testit që kanë pasur një lëndë zgjedhore.

https://kallxo.com/testi-i-matures-publikohet-online-edhe-ne-fazen-e-dyte/

Kurse nesër do të mbahet në Prizren dhe Gjakovë.