Nxënësi Ndërpret Mësimin, Ankohet se e Rrahu Arsimtarja

Një 11 vjeçar në klasën e gjashtë në një shkollë fillore në Gjakovë po ankohet se është keqtrajtuar fizikisht nga arsimtarja e tij e matematikës.

Ermal Skenderi, nxënës i shkollës fillore “Emin Duraku” thotë se dhuna në shkollë ndaj tij ka filluar që në nisje të vitit të ri shkollor.

“Ia kam marrë fotrollën me stilolapsa dhe ia dhashë një shokut, kur ia dhashë arsimtarja erdh më goditi në shpinë me rryp, kur jam kthy ka dashtë me më goditë në fytyrë e kam qitë dorën përpara për me u mbrojtë”, thotë Ermali për KALLXO.com.

Ai thotë se për këtë rast fillimisht nuk e kishte lajmëruar drejtorin apo prindërit.

Babai i Ermalit, Përparim Skenderi, i cili është ankuar në KALLXO.com për rastin e djalit të tij, thotë se nuk ka qenë në dijeni për telashet që i biri i tij kishte pasur në shkollë derisa ka shkuar për t’ia kontrolluar notat.

Ai këtë e kishte kuptuar vetëm kur e ka parë se nuk qëndron mirë në lëndën e matematikës.

Kjo situatë e kishte detyruar atë që t’i drejtohet mjekut.

“E kam dërguar për incizim të kokës në Spital. Edhe te psikiatrja dy herë në javë kam me dërgu. Tash ka me bo incizimin e kokës në Prishtinë”, thotë Përparimi.

Ndërsa nëna e Ermalit, Arta, thotë se djali i saj ka qenë disa herë i operuar dhe se për këtë ajo e ka paralajmëruar edhe drejtorinë e shkollës, duke kërkuar një qasje më të veçantë ndaj tij.

“Rrijke i mërzitshëm, qajke, i humbi të gjitha deri në momentin kur u smu e tregoi rastin dhe qajti. Kam shku edhe në shkollë e kam pyet kujdestarin se çka është puna e djalit më tha nuk e di”, thotë nëna e Ermalit.

Por arsimtarja e përmendur për dhunë tha për KALLXO.com se nuk ka asgjë për të thënë për media.

“Prindi me mua nuk ka kontaktuar, ka shku direkt në Inspektorat të Arsimit. Deklarata ime ka shkuar në Inspektorat te Drejtori i Shkollës dhe në Polici, kështu që rasti është në shqyrtim”, tha Leonora Doli.

Më 12 janar, Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë një rekomandim që arsimtarja Doli të dalë para një komisioni disiplinor jo më larg se deri më 20 janar për t’u përgjigjur rreth ankesave të nxënësit dhe prindërve të tij.

Policia është në dijeni për këtë rast dhe thotë se ka marrë masat.

Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj, konfirmoi për KALLXO.com se arsimtarja është marrë në pyetje dhe e ka mohuar veprën për të cilën flet nxënësi.

“Nga Drejtoresha e Arsimit e kemi marrë informatën se ajo nuk është në dijeni mirëpo ne kemi vepruar menjëherë te Drejtori i Shkollës i cili e ka konfirmuar këtë rast dhe i cili thotë se Inspektorati i Arsimit ka inicuar rastin, megjithatë ne kemi vepruar me Prokurorinë e Shtetit “, tha Gjokaj.

Ai paralajmëron shumë shpejtë do të dilet me kallëzim penal ndaj arsimtares, ndërsa policia ka marrë edhe një rrip si provë.

Ndërsa Inspektori i Arsimit, Zef Osmani tha se Inspektorati i ka dërguar dy rekomandime te Drejtoria e Arsimit për këtë rast.

“Në rekomandimin e parë i kemi rekomanduar Drejtorisë komunale që mësimdhënësen në fjalë ta nxjerrë para komisionit disiplinor dhe komisioni vendos konform legjislacionit në fuqi, kurse për nxënësin kemi rekomanduar që të trajtohet konform normave pedagogjike dhe të drejtave të njeriut dhe fëmijëve”, tha Osmani.

Drejtorja e Arsimit për Komunën e Gjakovës, Diana Çarkaxhiu tha se këto rekomandime e Inspektoratit kanë shkuar në Drejtori.

“Sigurisht se do të merren masa disiplinore për mësimdhënësen në fjalë”, tha ajo për KALLXO.com

Drejtori i Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Gjakovë Albert Zajmi nuk deshi të prononcohet për me arsyetimin se ky rast është në duar të institucioneve të vendit.

Ndërsa Ermali thotë se nuk do të kthehet në shkollë pa u zgjidhur kjo situatë.

Për raste të tilla KALLXO.com kishte raportuar edhe më herët.

http://kallxo.com/arsimtari-rrah-rende-nxenesen-ndersa-vetem-i-nderrohet-shkolla/

http://kallxo.com/arsimtari-dyshohet-per-dhune-fizike-ndaj-nxenesve-ne-shkolle