Foto: MDIS

Nxënës të shkollës shqipe nga Kroacia vizitojnë Kosovën

Sot ka filluar ekskursioni i nxënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga Kroacia në Kosovë.

Nxënësit që janë pjesë e këtij ekskursioni janë nga rajoni i Istrës, Rjekës, Karlovcit, Zagrebit, së bashku me mësuesit e tyre.

Ekskursioni do të zgjatë pesë ditë dhe do të ketë karakter mësimor njohës.

Në kuadër të këtij ekskursioni, ata e vizituan Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Nxënësit e shkollës shqipe nga Kroacia i pritën zv.ministri i MDIS-së, Isni Kilaj, drejtoresha e DRKAKD-së, Maliqe Hashani, dhe përfaqësues të tjerë të Ministrisë.

“Jemi të lumtur që po e vizitoni vendlindjen tuaj dhe të prindërve tuaj. Ne, si ministri, me fondet që kemi, kemi arritur të krijojmë lidhje me gjithë diasporën tonë” , tha Kilaj.

Ai ka shtuar se Kroacia është një ndër vendet me diasporën më të organizuar.

Pas MDIS-së,  ekskursioni i tyre do të vazhdojë me vizita në institucione shkollore, në qytete të Kosovës e Shqipërisë,  me ç’rast do të njihen me historinë dhe trashëgiminë kulturore e historike të vendeve shqiptare.