Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Nuk vjen në Gjykatë i akuzuari për përvetësim të 159 kg metal të çmueshëm

Në Gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e zyrtarit të “Trepçës”, Zhivorad Millutinoviq.

Millutinoviq akuzohet nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës se nga dhjetori i vitit 2008 deri në maj të vitit 2009, në cilësinë e kryepunëtorit të trezorit në KXMK “Trepça” në Zveçan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar 159,298 kg metal të çmueshëm, argjend i pastër 99.9%, ku vlera e tregut arrin në 40.000 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari këtë vepër e kishte kryer duke e shfrytëzuar çelësin i cili i është besuar në bazë të detyrës, kohë pas kohe ka marrë argjend dhe pastaj atë sasi e kishte shitur dhe paratë e fituara i ka shfrytëzuar për nevojat e tij.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”, nga neni 340 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjykata Themelore në Mitrovicë më 24 prill 2017  të akuzuarin Zhivorad Millutinoviq e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Millutinoviq ishte dënuar me 3 vjet burgim dhe 1.000 euro gjobë.

Njëherësh, Gjykata e ka obliguar të akuzuarin Zhivorad Millutinoviq që palës së dëmtuar t’ia kompensojë dëmin në lartësi prej 40.000 euro.

Por, më 20 korrik 2017, ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit të Apelit, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Lubomir Pantoviq, është gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo sipas vendimit ndërlidhet edhe me vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Në seancë mungoi i akuzuari.

Gjyqtari i rastit Beqir Halili njoftoi se nga fletë-kthesa është vërtetuar se personi që e ka pranuar është i panjohur.

Ndërsa për këtë mbrojtësi i të akuzuarit Millutonoviq, avokati Lubomir Pantoviq, tha se për seancën e radhës do të marrë përsipër që të njoftojë të akuzuarin dhe të sigurojë prezencën e tij.

Në seancë ka munguar edhe përfaqësuesi i të dëmtuarës, KXMK “Trepça” në Zveçan.

Pas kësaj gjyqtari Halili konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës.

Seanca e radhës është caktuar për më 4 shtator 2018.