Sallë gjykimi (Ilustrim)

Nuk vijnë dëshmitarët, dështon gjykimi ndaj 2 policëve në Prizren

Një seancë gjyqësore ndaj dy policëve ka dështuar të mbahet sot në prizren për shkak të mungesës së dëshmitarëve.

Dy zyrtarë policorë, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, po akuzohen nga Prokuroria Themelore Prizren se në shtator të vitit 2017 si bashkëkryerës në cilësinë e personave zyrtarë policorë, kanë liruar një veturë të vetaksidentuar e cila ka rezultuar e pa zhdoganuar.

Aktakuza thotë se kjo veturë nuk është dashur të lirohet por të dërgohet në terminalin doganor në Prizren, për zhdoganim.

Në shqyrtimin gjyqësor të paraparë të mbahej të martën në Gjykatën Themelore Prizren, para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Ajser Skenderi, kryetare dhe Xheladin Osmani dhe Luan Berisha anëtarë, ishte e paraparë të dëgjoheshin 3 dëshmitarë të propozuar sipas aktakuzës, por asnjëri nga ta nuk u paraqit në gjykatë.

Trupi gjykues konstatoi se për njërin dëshmitar ishte bërë gabim në mbiemrin e tij, dhe pas përmirësimit ai do të ftohet përsëri, ndërsa për dy dëshmitarët tjerë gjykata do të kërkojë nga Stacioni Policor Prizren vendndodhjen e tyre të saktë për t’u dërguar ftesa të rregullta.

Prokurorja Ervehe Gashi propozoi që të shtyhet gjykimi pasi që është e nevojshme të bëhet dëgjimi i këtyre dy dëshmitarëve.

Foto: Kallxo.com

Andaj trupi gjykues caktoi datën 18 janar të vitit 2019, për shqyrtimin e ardhshëm kur edhe pritet të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar.

Sipas aktakuzës zyrtarët policorë Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi në shtator të vitit 2017, në cilësi të bashkëkryerësve si persona zyrtar policor, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare kur gjatë orarit të punës kishin sekuestruar përkohësisht automjetin e vetëaksidentuar, por nuk kishin hapur rast për vetëaksident.

Aktakuza thotë se ata me dashje kanë liruar automjetin e tipi Volvo V40, edhe pse kanë ditur se ky automjet është vetëaksidentuar dhe ka rezultuar i pa zhdoganuar, dhe si i tillë automjeti nuk është dashur të lirohet por është dashur të dorëzohet në terminalin doganor në Prizren për zhdoganim.