Fermeret maqedonas. Foto arkivë Mia.

Nuk u Paguhen Subvencionet, Kërcënojnë Fermerët Maqedonas

Fermerët maqedonas kanë kërcënuar se do t’i nxjerrin në rrugët e Shkupit makineritë, mallin e gjallë dhe atë të pashitur të zemëruar nga arsyetimi i Qeverisë se nuk mund t’i paguajë atyre 100 milionë euro subvencione për shkak të ngërçit aktual politik.

“Kërkojmë takime me ministrat jo vetëm për pagesën e subvencioneve por gjithashtu për të na ndihmuar për çmimet e ulëta të mallrave tona”, tha Risto Velkov nga unioni i fermerëve.

“Nëse ministrat e Bujqësisë dhe Financave nuk ndërhyjnë, do ta radikalizojmë protestën tonë”, paralajmëroi Velkov, duke shtuar se nëse nuk marrin paratë deri të mërkurën do të bllokojnë rrugët në Shkup dhe segmente të tjera të rëndësishme në vend.

“Shkupi do të paralizohet plotësisht. Asgjë nuk do të funksionojë. Do ta sjellim bagëtinë këtu (në Shkup)”, tha bariu Havzi Breza.

Paralajmërimi i fermerëve vjen pasi Qeveria e përkohshme nuk ia doli të japë subvencione për shtatë muaj. Ministrat e Financave dhe Bujqësisë këmbëngulin se nuk mund të paguajnë subvencione derisa të krijohet një qeveri e re, një proces që aktualisht është bllokuar.

Ministria e Financave tha të martën se nuk ka para për të paguar fermerët por ministri i përkohshëm i Financave, Kiril Minoski nuk mund të nënshkruajë asnjë letër sepse mund të mbajë përgjegjësi penale.

“Ministri Minoski nuk po fshihet nga fermerët. Problemi nuk është Ministria e Financave, por parashikimet e kodit penal. Nëse parashikimet problematike hiqen, nuk do të ketë pengesa për të bërë pagesat”, shkroi ministria.

Para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit, Qeveria e përkohshme e ngarkuar me zbatimin e zgjedhjeve këmbënguli se pagesa e shumave të mëdha gjatë zgjedhjeve ishte e paligjshme.

Por, pas zgjedhjeve, kur partitë politike u gjendën në një ngërç në lidhje me mundësinë e një qeverie të drejtuar nga opozita, justifikimi që u nxor është se ministrat e përkohshëm nuk kanë autoritet të japin pagesa.

Socialdemokratët, LDSM, të cilët kontrollojnë shumicën e re parlamentare, por që janë bllokuar nga formimi i qeverisë së re, premtojnë pagesa të menjëhershme pasi të marrin pushtetin.

“Vetëm zgjedhja e menjëhershme e një qeverie të re është zgjidhja e problemit”, tha deputeti i LDSM, Ljupço Nikolovski.

“Qeveria e re do të paguajë menjëherë subvencionet për 2016 si dhe pagesat e viteve të shkuara dhe do të ofrojë pagesa më të larta dhe të rregullta për subvencionet”, u betua Nikolovski.

Megjithëse autoritetet nuk e kanë pranuar se cila është shifra e plotë që i detyrohen fermerëve, ata këmbëngulin se shifra aktuale arrin deri në 100 milionë euro për 2015 dhe 2016.