Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Nuk ndihet fajtor për aksidentin që la tre të lënduar

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot u mbajt shqyrtimi fillestar në rastin e të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Besim Asllanin se në korrik 2012, në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, saktësisht në fshatin Kçiq i Madh në Mitrovicë, nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve, ashtu që duke drejtuar veturën e markës “Opel Kadet”, në kundërshtim me dispozitat e nenit 54.1 të LKSRR-së, nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet dhe gjendjen në rrugë.

Sipas aktakuzës, vepra ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari ka humbur kontrollin mbi veturën e tij, ka dalë në shiritin e majtë të lëvizjes dhe është ndeshur me kamionin “Volvo”, të cilin e ka drejtuar i dëmtuari Driton Hajdari, ku më pas është ndeshur edhe me veturën e markës “Mercedes S-500”, të cilën e ka drejtuar i dëmtuari Esat Abazi.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Esat Abazi pas goditjes ka pësuar lëndime trupore dhe plagë shqyese si dhe ndrydhje në kokë, e që janë konsideruar si lëndime të lehta trupore, kurse i dëmtuari tjetër, bashkudhëtari Gazmend Bejtullahu, ka pësuar thyerje të tre unazave të qafës.

Ndërsa përveç të lartcekurve lëndime trupore ka pësuar edhe bashkudhëtari në veturën e të pandehurit, Isuf Kela, i cili ka pësuar ndrydhje në abdomen dhe shqyerje të shpretkës që është shoqëruar me gjakderdhje të madhe, ndrydhje në shputën e këmbës së majtë si dhe plagë ndrydhëse dhe shqyese në pjesën ballore të kokës.

Si pasojë e këtij aksidenti përveç lëndimeve trupore ishin shkaktuar edhe dëme materiale.

Me këtë i akuzuari Besim Asllani ka kryer veprën penale -rrezikim i trafikut publik.

Pas fillimit të seancës dhe pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Shpëtim Peci, i akuzuari u deklarua se nuk e ndien vetën fajtor, pasi që sipas tij përgjegjësia nuk ka qenë vetëm e tij.

Pasi që i akuzuari nuk e pranoi fajësinë, gjyqtari Bekim Veliqi njoftoi të pandehurin se nuk do të mbahet shqyrtimi i dytë  dhe se ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në afat prej 30 ditësh.

Veliqi tha se në rast se ka kundërshtime, pas marrjes së mendimit nga ana e prokurorit, Gjykata do të marrë vendim jashtë seancës gjyqësore.