Nuk Miratohet Kërkesa e VV-së për të Diskutuar për Kumanovën

Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, propozoi që në Kuvend të hyjë si rend dite trajtimi i ngjarjeve të fundit në Kumanovë.

Konjufca tha se me 12 maj e kanë protokollu në Kuvend kërkesën e tyre për trajtimin e kësaj çështjeje.

“Kjo është çështje urgjente që duhet të trajtohet kjo temë”, tha Konjufca.

Grupet Parlamentare të PDK-së dhe LDK-së shprehën keqardhje dhe ngushëllime për viktimat, ndërsa vlerësuan se ende është herët të hyhet në këtë çështje.

Adem Grabovci tha se nuk ka informacione për atë që ndodhi në Kumanovë të shtunën e të dielën.

“Jemi për bashkëpunim ndërfqinjësor me të gjitha shtetet fqinje. Ne jemi të vetëdijshëm për obligimet tona për tu interesu për fatin e qytetarëve tonë kudo që ndodhen. Kërkesën e ‘Vetëvendosjes’ jo që nuk e përkrahim, po e përkrahim, nuk e shohim të tepërt, por ne vlerësojmë që ende është herët të hyjmë në këtë çështje. Ne kemi nevojë për informacione shtesë”, tha Grabovci.

Ai propozoi që kjo çështje të debatohet ditët në vijim kur të kemi informacione shtesë.

Edhe Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka konsideruar që kjo çështje duhet të debatohet kur deputetët të kenë informacione shtesë.

“Shprehim keqardhje dhe ngushëllime për viktimat e ngjarjeve që ndodhën në Kumanovë. Konsiderojmë që për këtë çështje duhet të debatohet kur kemi informacione të duhura dhe të bollshme”, tha Beqiri.

Donika Kadaj- Bujupi, kryetare e Grupit Parlamentar të AAK-së tha se kërkojnë informata nga qeveria për dhunën, vrasjet dhe djegiet që janë bërë në Kumanovë.

Ajo tha se po kërkojnë njoftim zyrtar prej qeverisë dhe sipas saj tash është koha të diskutohet.

“Konsiderojmë që është pikërisht sot dita kur duhet të debatohet dhe diskutohet”, tha ajo.

Edhe Zafir Berisha, shef i Grupit Parlamentar të Nismës, tha se ky diskutim është emergjent.

“Ajo që ka ndodhur në Kumanovë është çështje edhe e Kosovës. Është çështje që na përket të gjithëve jo vetëm që është shtet fqinj, po bëhet fjalë për shqiptarët. Këtë çështje përpos që me debatu me ngrit edhe përgjegjësinë e institucioneve të sigurisë”, tha Berisha.

Kërkesa për diskutim të ngjarjeve të Kumanovës nuk u miratua. 50 deputetë votuan kundër, 28 për dhe 5 abstenuan.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Maqedonisë gjatë përleshjeve në Kumanovë të shtunën dhe të dielën u vranë 8 policë dhe 14 persona të grupit të armatosur me të cilët luftoi policia.

U arrestuan edhe 30 persona, 23 nga të cilët kosovarë.