Testi PISA

Nuk ka Shtyrje të PISA-s për Kosovën, Ministria e Arsimit në Përgatitjet e Fundit

Testi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA),  që mbahet këtë vit në Kosovë ka krijuar një gjendje alarmi brenda qeverisë.

Lidhur me këtë temë, sot Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj takoi Ministrin e Arsimit, Shyqeri Bytyqi në mënyrë që të njoftohet me përgatitjet  për këtë testim, sipas tij  tejet të rëndësishëm për sistemin arsimor.

Haradinaj konsideron se ky test që do të mbahet në prill me nxënës 15 vjeçarë  duhet të merret shumë seriozisht.

“Tani jemi me një temë më konkrete, ka të bëjë me testin ‘PISA’. Jemi të interesuar që ta marrim seriozisht, që ta dijmë peshën e këtij testi dhe të del niveli i vërtetë i asaj se ku ka mbërri mësimdhënia në raport me këtë test”, tha Haradinaj.

Ministri Bytyqi tregoi arsyet për kërkesën që kishte bërë për shtyrje të këtij testi për një vit vetëm për Kosovën.

“Ne kemi diskutuar me komisionin ‘PISA’ dhe nuk ka qenë ideja që të largohemi nga testi por kemi mendu se nëse ekziston mundësia për shtyrje në një vit ne do të ishim shumë më të përgatitur, mirëpo rregullat e PISA-s nuk e kanë lejuar shtyrjen”, tha Bytyqi.

Në testin e kaluar PISA,  të mbajtur në vitin 2015, Kosova u rangua e treta nga fundi, prej 72 vendeve të botës.

Testi i ardhshëm  PISA, pritet të mbahet në muajin prill dhe kësaj rradhe me kompjuterë, në vend se me laps dhe shkrim.

http://kallxo.com/risite-e-pisa-2018-per-kosoven-nuk-ka-test-shkrim/