Foto: Atdhe Mulla

Nuk ka pajtim për rezolutën anti- Thaçi për dialogun me Serbinë

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare nuk kanë mundur të arrijnë në një qëndrim rreth përmbajtjes së rezolutës e cila pritet të votohet në Kuvend rreth dialogut me Serbinë.

Kryesuesi i seancës i dha më herët 20 minuta përfaqësuesve të grupeve parlamentare për t’i harmonizuar qëndrimet por as pas më shumë se një orë, ata nuk kanë arritur ta bëjnë këtë.

Kur u kthyen në seancë, propozuesi i seancës, Avdullah Hoti (LDK) tregoi se ka pranuar një modifikim në përmbajtjen e pikës së vetme me të cilën Kuvendi ia ndalon Presidentit Thaçi të flasë për kufijtë në dialogun me Serbinë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar janë të pacenueshme. As Presidenti as dikush tjetër nuk ka të drejtë ta negociojë këtë çështje”, është pika të cilën Hoti e lexoi para deputetëve.

Por shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi e refuzoi këtë formulim.

“U takuam dhe them me keqardhje që nuk pat vullnet të kemi dakordësim”, tha Krasniqi duke shtuar se propozuesi i rezolutës ka insistuar që ajo ta ketë vetëm një pikë.

“Nuk heqim dorë dhe nuk dorëzohemi nga kërkesa dhe insistimi ynë që, nëse jo sot, në ditët e ardhshme të mblidhemi dhe ta krijojmë një qëndrim… Nuk do të marrim pjesë fare ne votim sepse ky kurth absolutisht i padrejtë në të cilin po mendon propozuesi ta fusë koalicionin, ne nuk do të bijmë në të”, tha Krasniqi.

Por për Glauk Konjufcën e Vetëvendosjes, koalicioni qeverisës “po e mbron verbërisht” Thaçin.

“Nuk e kemi me Presidentin vetëm pse e ka emrin Hashim Thaçi… këta po e mbrojnë sepse kjo ka konsekuenca politike në jetëgjatësinë e kësaj qeverie”, tha Konjufca.

Dardan Sejdiu i PSD-së tha se grupi i tij parlamentar e mbështet propozimin e lexuar nga Hoti.