FOTO: Xhavit Rexhaj /Facebook

Nuk i lejohet angazhimi partiak, jep dorëheqje anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Xhavit Rexhaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në kuadër të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Këtë e ka bërë të ditur Rexhaj për KALLXO.com, ku tregoi se njëra nga arsyet është edhe postimi i tij në ‘Facebook’ për partinë Lidhja Demokratike e Kosovësjavë më parë, ku e quajti partia më e mirë në Kosovë dhe rajon.

“Kam dhënë dorëheqje para dy javësh. Janë disa arsye por njëra ka qenë puna për një postim në Facebook për LDK-në dhe kam dërguar pyetje në Agjencinë Kundër Korrupsion, dhe mandej më kanë thënë që nuk bën edhe angazhim politik dhe kam vendosur që mos të vazhdojë me agjencinë”, tha Rexhaj për KALLXO.com.

Ai tregoi se është anëtar i kësaj partie, por nuk dha tregoi detaje se qe sa vite është anëtar.

“Po, jam anëtar i LDK-së por nuk ka rëndësi kjo se sa jam anëtar”, tha Rexhaj.

Tutje ai tha se kjo nuk është arsyeja e vetme pse e la postin e anëtarit të AKA-së.

Por kam pasur edhe pakënaqësi të tjera, mundem me thënë shkurt se puna e agjencisë ka qenë nën standardin tim. Kam menduar se mundet  shumë më mirë me u bë, jam munduar me ndryshu por s’kam mujt”, tha Rexhaj.

Rexhaj më 27 mars në një postim, ka thënë se në LDK ka patriotizëm e vlera që nuk i kanë partitë tjera.

“Vizioni rugovian mund ta udhëheqë ende Kosovën. LDK ka pasuri e vlera të pakrahasueshme në vizionin rugovian. Duhet të krenohemi me të! Aty janë patriotizmi, vlerat civilizuese euro-perëndimore, maturia, lidershipi, përkushtimi, guximi, largpamësia, shteti, njerëzia … të gjitha janë aty!”, kishte thënë.

Rexhaj së bashku me anëtarët tjerë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë ishte emëruar në vitin 2018. Ai është profesor në Kolegjin ‘AAB’.

Ky vendim erdhi gati një muaj pas shkarkimit të bordit të vjetër që erdhi pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj.