Svetislav Jovanoviq, kryetar i komunës së Novobërdës

Novobërda në Nevojë për Ujë e Asfalt

Në debatin për Novobërdën në kuadër të emisionit “Jeta në Komunë”, kryetari i kësaj komune Svetislav Jovanoviq ka folur për punët e bëra dhe të pa bëra gjatë këtyre dy viteve.

Komuna e Novobërdës ka 15 këshilltarë komunalë nga Iniciativa Qytetare Serbe, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Iniciativa Demokratike ‘Opstanak’, Iniciativa Qytetare “Së Bashku për Ardhmëri” dhe Partia e Pavarur Liberale.

Çështja e parë e cila u ngrit gjatë debatit ishte ndërtimi i rrugëve në fshatin Kuscë dhe Prokovc. Sipas Jovanoviq, rruga e fshatit Kuscë është asfaltuar para dy viteve mirëpo për asfaltimin e rrugëve të mbetura, procedura  është planifikuar që të filloj këto ditë.

“Pikërisht në fshatin Kuscë, rruga kryesore shpie në qendër të fshatit dhe ajo është asfaltuar para dy vjetëve dhe e kemi një projekt për asfaltimin e rrugëve të mbetura që lidhen me rrugën kryesore të cilat do të asfaltohen këtë vit. E kemi bërë projektin dhe këtyre ditëve e siguri do të fillojë procedura”, thotë ai.

Mirëpo më vonë ai thotë se nuk është shumë i sigurt nëse ajo rrugë është pjesë e komunës së Novobërdës.

“Kjo pjesë e rrugës që po e shoh, se di a i përket Komunës se Novobërdës, sepse aty është kufiri me komunën e Gjilanit, dhe më duket se kjo është mu në kufi me komunën e Gjilani”, tha ai.

Ndërkaq për rrugën në fshatin Prokovc e cila lidhet me rrugën kryesore Stanishor-Gjilan thotë se ai projekt është miratuar dhe pritet të fillojë.

“Vitin e kaluar e kemi punuar projektin, e kemi përgatitur tërë dokumentacionin, dhe ai projekt në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës së Qeverisë së Kosovës është miratuar, është e paraparë me buxhet që këtë vit ajo pjesë e rrugës të asfaltohet”, deklaroi ai.

Tema e dytë e cila u diskutua ishte objekti i ndërtuar dhe jo funksional i shtëpisë së pleqve në Prokovc në vlerë prej 140 mijë euro. Edhe pse hyn te projektet e realizuara me sukses ne agjendën e kryetarit, ky projekt nuk është funksional. Për këtë ai thotë që fajin nuk mund të jetë vetëm i tij pasi që ishte projekt i përbashkët me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Projekti ka përfunduar sa i përket ndërtimit dhe në bashkëpunim me ministrinë dhe qeverinë e kemi përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për realizim, përkatësisht për qëllimin e përdorimit të këtij objekti”, shprehet ai.

Ai thotë që obligimet për menaxhimin e kësaj shtëpie do të ndahen mes komunës dhe ministrisë.

“Sa i përket funksionimit ne jemi marrë vesh me ministrinë që një pjesë të përgjegjësisë ta marrë ministria dhe një pjesë komuna. Komuna është duke e kryer punën e vet edhe tani jemi duke biseduar me ministrinë dhe personat përgjegjës për këtë”, tha ai.

Ai tha që komuna e ka paraparë që shfrytëzuesit e asaj shtëpie t’ia paguajnë komunës shërbimet, dhe komuna do t’i përdorë ato mjete për nevojat e asaj shtëpie.

Sipas tij kjo shtëpi do të funksionalizohet deri në fund të vitit.

Temë tjetër e cila u bisedua gjatë debatit ishte edhe puna e ujësjellësit dhe kanalizimit në komunën e Novobërdës.

Për dallim nga disa komuna, Novobërda ka 9 ujësjellës të cilët sipas kryetarit i furnizon mjaftë mirë qytetarët.

“Komuna e Novobërdës është një zonë rurale, dhe nuk mjafton ta ketë vetëm një ujësjellës i cili do t’i furnizojë të gjithë qytetarët. Ne kemi 9 ujësjellës, të cilët janë  të vendosur në afërsi në mënyrë që  të jenë më efikase, përkatësisht më të lehtë për t’u mirëmbajtur”, thotë ai.

Ai deklaron që gjendja e tyre është pjesërisht e mirë, dhe po mundohen vazhdimisht ti rregullojnë.

“Ne kemi nënshkruar marrëveshje me shërbimin rajonal, për mirëmbajtjen e ujësjellësit me “Hidromoravën” dhe me qeverinë zvicerane e cila dëshiron t’i marrë përsipër të gjitha obligimet e papaguara nga periudha e mëparshme.

Ai shtoi që qytetarët e paguajnë pjesërisht ujin prandaj duhet t’iu falënderohen donatorëve të caktuar të cilët kanë dhënë mbështetje dhe kanë ndihmuar ne ndërtimin e tyre.

“Këta ujësjellës janë shumë të shtrenjtë për t’u mirëmbajtur dhe nuk kemi pasur mundësi, sepse buxheti është shumë i vogël”, thotë ai.