Notari që la sportin shkaku i padrejtësive

Pishinave profesionale për gara të notit tash e disa vite i mungon Besart Shala, një notar që thotë se ‘ u tradhtua’ nga Federata e Notit të Kosovës në rrugëtimin e tij për olimpiadë.

Besart Shala vendosi të braktisë sportin e notarit për t’u bërë trajner i notarëve ku po ashtu thotë se po përballet me parregullsi nga Federata.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Shala thotë se vite më parë , një notar me rangime më të ulëta se ai u dërgua në një garë në Rusi duke bërë kështu që Shalës t’i humb mundësia për të garuar në Lojërat Olimpike.

“Unë kam qenë notues në ‘Step’ dhe u pata rikthyer pas pesë viteve pauzë dhe ka qenë kushti për të marrë pjesë në kampionat botëror në Kazan të Rusisë 2015, ka qenë me marrë pjesë  në një garë FINA nga e cila garë do të njiheshin rezultatet e arritura në bazë të pikëve FINA. Në atë garë kam marrë kohën e dytë më e mirë në Kosovë pas Lum Zhavelit”, tha Shala.

Ai thotë se nuk gjeti motivim për të vazhduar karrierën e tij si notar pas kësaj ngjarje.

“Unë në garën direkte me Meriton Veliun i kam fituar të gjitha garët. Ditën kur unë kam qenë në Selanik dhe në kohën kur unë kam qenë duke notuar është mbajtur mbledhja që e ka dërguar Meriton Veliun në vendin tim.Është bërë një tradhti nga ana e federatës, prapë po them se qëndrimet e sekretarit janë tmerrësisht arrogante. Aty mu më është humbur e drejta për të marrë pjesë në olimpiadë. Unë si sportist në atë moment e kam lënë notin sepse jam demotivuar e kam ndërprerë dhe tash jam trajner”, tha Shala.

Padrejtësitë në selektimin e notarëve në atë kohë e konfirmon ish selektori , Enver Hajredini i cili tha se nuk pati fuqi të bëjë diçka për ta ndaluar atë.

“Ndihem keq por nuk kam pasur mundësi që të ndërhyj në atë drejtim.  Gjithqka në federatë është Kryetari dhe Sekretari”, tha Hajredini.

Në debatet e organizuara nga ‘Jeta në Kosovë’, lidhur me këtë çështje flet edhe Sekretari i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti.

Në hulumtimin e ‘Jeta në Kosovë’, flitet për parregullsitë në udhëheqësinë e Federatës së Notit të Kosovës dhe akuza të tjera për diskriminime ndaj notarëve të rinj kosovarë.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: