Florim Neziraj, kryetar i shkarkuar i BIK në Kaçanik. Foto: Kallxo.com

Njoftimi për Lavdrim Muhaxherin, Shkarkohet Kryetari i BIK në Kaçanik

Vendimin e kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për shkarkimin e Nezirajt e konfirmoi për emisionin “Jeta në Kosovë, këshilltari i BIK Vedat Sahiti.

“Kryetari i BIK në Kaçanik është revokuar sepse veprimi i tij ka qenë i pakonsultuar me kryesinë e BIK”, tha Sahiti duke iu referuar njoftimit që ishte dhënë nga xhamia në Kaçanik për vrasjen e Muhaxherit në frontet e luftës në Siri.

“Florim Neziraj është shkarkuar, tani është vetëm imam”, shtoi ai.

Njoftimi i dhënë nga xhamia e Kaçanikut për vrasjen e Muhaxherit kishte shkaktuar reagime të ashpra në opinion, ndërsa vetë Neziraj, në një intervistë për KALLXO.com kishte konfirmuar se bashkë me disa imamë nga Kaçaniku më 8 qershor, ditën kur u dha lajmi për vrasjen e Lavdrim Muhaxherit, kishte shkuar për ngushëllime në familjen e tij.

Debati për ekstremizmin fetar në Kosovë dhe vrasjen e Lavdrim Muhaxherit do të transmetohet të enjten e ardhshme në emisionin “Jeta në Kosovë” në RTK.

http://kallxo.com/kryetari-bik-ut-ne-kacanik-tregon-pse-shkoi-ne-ngushellime-te-familja-e-lavdrim-muhaxherit/