Ilustrim

Njeriu i arrestuar për kërcënimin e Ramush Haradinajt përballet me drejtësinë

Seanca gjyqësore ndaj Bledart Elshanit, i akuzuar për kërcënimin në emër të ‘ISIS’-it ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj është shtyrë.

Sipas gjykatësit të rastit Hamdi Ibrahimi, Departamenti për Krime të Renda i Gjykatës së Prishtinës nuk është kompetent për ta gjykuar këtë çështje.

“Ne sot nuk do të mbajmë seancën e shqyrtimit fillestar. Arsyet janë thjesht ligjore”, tha gjykatësi.

Gjykatësi Hamdi Ibrahimi, tha se arsye se pse nuk po mbahet shqyrtimi fillestar është për shkak se sipas gjykatësit pas themelimit të Departamentit Special, kjo lëndë i takon atij departamenti dhe se lënda duhet t`i bartet atij departamenti.

“Ju e dini që ka kohë që ka hyrë në fuqi Ligji për Gjykatat që parasheh themelimin e Departamentit Special në këtë Gjykatë që ka për kompetencë më vendos për çështjet penale të ngritura nga Prokuroria Speciale. Ligji parasheh se për çdo lëndë që nuk është mbajt ende shqyrtimi gjyqësor duhet t`i kaloj Departamentit Special”, tha gjykatësi Ibrahimi.

Gjykatësi Ibrahimi tha se në vend të shqyrtimit fillestar sot do të mbahet seancë dëgjimore për të vendosur lidhur me masën e sigurisë për të akuzuarin Bledart Elshani.

“Të gjetur në këtë situatë unë si gjyqtar kam vepruar vetëm për ato raste që janë të natyrës urgjente si vendosjen për masën e sigurisë. Sot do të mbahet seancë dëgjimore lidhur me masën e sigurisë për të pandehurin e më pas lënda do t`i kaloj Departamentit Special. Në ndërkohë unë sigurisht do të vendos vetëm për ato raste që janë urgjente si për masë të sigurisë dhe për leje vizita”, deklaroi gjykatësi Hamdi Ibrahimi.

Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Elshani dyshohet se kishte kërcënuar kryeministrin Haradinaj, në emër të organizatës terroriste “ISIS”-it.

Në aktakuzë thuhet Bledart Elshani nga gushtit i vitit 2018 deri në janar të vitit 2019  kishte bëre propaganda në lidhje me organizatën “ISIS”, duke i përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste.

Elshani kërcënimin ndaj kryeministrit Haradinaj pretendohet se e bëri në janar të vitit 2019.

Prokuroria pretendon se ai përmes një kanali të rrjetit social kishte postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj Kryeministrit Haradinaj.

Përmbajtja kërcënuese ishte bëre nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”, dhe në të thuhej “DO T’JU VIJË FUNDI O TAGUTA SHQIPTAR BI’ IDHNILAH”,

Elshani njëkohësisht po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, për shkak se në janar të vitit 2019, në Drenas kur ishte ndalur për kontrolle nga Policia e Kosovës, i është gjetur një thikë luftarake dhe e njëjta I është konfiskuar.

KALLXO.com, kishte shkruar për kërcënimin e Kryeministrit Haradinaj në emër të ISIS-it.

 

Seanca ndaj Bledart Elshani, i akuzuar për kërcënimin e kryemnistrit Ramush Haradinaj në emër të ISIS-it – 18.04.2019

 

Seanca ndaj Bledart Elshani, i akuzuar për kërcënimin e kryemnistrit Ramush Haradinaj në emër të ISIS-it – 18.04.2019

 

Seanca ndaj Bledart Elshani, i akuzuar për kërcënimin e kryemnistrit Ramush Haradinaj në emër të ISIS-it – 18.04.2019