foto-ilustrim

Njerëz të pakualifikuar u punësuan në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Ministrin e Punëve të Brendshme kishte punësime të personave me kontratë mbivepër. Raporti thotë se 11 zyrtarë nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent kanë punuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, të njëjtit kanë qenë të punësuar me marrëveshje për shërbime të veçanta. Madje 7 nga 11 personat e punësuar ishin për pozita të rregullta: si zyrtarë financiar, të personelit, për marrëdhënie me publikun, logjistikë.

Në katër raste, kohëzgjatja e marrëveshjeve ishte nga data 1 janar i vitit 2018 deri më 31 dhjetor të po të njëjtit vit, duke bërë kështu që të tejkalohet afati ligjor i paraparë për zbatim të këtyre marrëveshjeve.

“Angazhimi i punonjësve me kontrata mbi shërbimet e veçanta në pozitat e rregullta të punës, dëmton konkurrencën dhe rritë rrezikun e angazhimit të stafit jo kompetent që mund të afektoj edhe arritjen e objektivave të organizatës. Ndërsa, angazhimi i tyre më gjatë se gjashtë muaj brenda një viti, është në kundërshtim me dispozitat ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Një gjetje tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditimit ishte edhe se Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka pranuar tre aplikantë në një konkurs i cili ishte shpallur për angazhim me marrëveshje për shërbime të veçanta në pozitën e zyrtarit të financave.

Të tre aplikantët sipas ZKA-së nuk i plotësonin kriteret e arsimimit dhe kualifikimit profesional dhe të gjithë ishin vlerësuar me pikë nga 10-20 nga komisioni vlerësues.

“Dështimi në zbatimin e kritereve dhe procedurave të parapara ligjore në procesin e angazhimit të stafit, minimizojnë konkurrencën dhe rrisin rrezikun e angazhimit të personave jo adekuat për pozitat e caktuara”, është rreziku të cilin e ka paraparë ZKA në raportin e saj.