Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Një zhvarrosje në Autostradë i kushton buxhetit 384 euro

Lokacioni i vetëm i varrezave që janë identifikuar përgjatë autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë gjenden në fshatin Zhegoc.

Ministria e Infrastrukturës ka thënë për Kallxo.com se varrezat, të cilat janë përgjatë segmentit Banullë – Bresalc, me gjatësi 22.3 kilometra, do të zhvendosen në një lokacion të ri.

E gjithë procedura nga zhvarrimi e deri varrimi i mbetjeve mortore në lokacionin e ri do të kushtojë 4,998 mijë euro.

Burimi: Ministria e Infrastrukturës

Kompania e kontraktuar për të ndërtuar segmentin Banullë – Bresalc, ‘Eskavatori’, ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Kosova Limo Ferizaj” për të kryer procedurat e zhvarrimit dhe varrimit në lokacionin e ri.

Nga ana tjetër, në muajin mars, kryetari i Komunës së Gjilanit përmes një vendimi ka miratuar lokacionin e ri ku do të varrosen mbetjet mortore.

Ato do të zhvendosen në një pjesë tjetër të fshatit Zhegoc.

“Pjesa e ngastrës kadastrale nr.555-0, ZK Zhegoc në vendin e quajtur ‘Lumi’, pronar Izet Pajaziti (Tahir), në sipërfaqe prej 967 metra katrorë me destinim për zhvendosjen e varrezave të vjetra të fshatit, nga sipërfaqja e tërësishme prej 2527 metra katrorë, me kulturë – arë e kl.3”, thuhet në vendimin e Komunës së Gjilanit.

Lokacioni aktual i varrezave, Burimi: Ministria e Infrastrukturës
Lokacioni i ri i varrezave, Burimi: Ministria e Infrastrukturës