Një Veturë Zyrtare e Stërngarkuar me Udhëtarë

Një veturë zyrtare me shumë udhëtarë në të është fotografuar të dielën te rrethi afër spitalit në Prishtinë.

Këtë fotografi e ka dërguar në KALLXO.com një qytetar në përpjekje për të denoncuar keqpërdorimin me makina zyrtare.

Një fotografi e një makine zyrtare që udhëtonte drejt Rugovës të dielën e kaluar erdhi në KALLXO.com, e dërguar nga një qytetar tjetër.

Kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e 26-të të Qeverisë më 4 maj foli pikërisht për marrje masash ndaj atyre që keqpërdorin makinat zyrtare.

“Ka kritika edhe në medie, por edhe kemi argumente të njerëzve tanë, të cilët kanë qenë këtyre ditëve në Durrës dhe vendet e tjera, se atje po shkohet me makina qeveritare dhe me to po bëhen pushime jashtë vendit. Ne duhet të marrim masa që kjo të mos ndodhë,” deklaroi atëherë Kryeministri Mustafa.

Makina zyrtare u panë edhe në Kuvendin e Tetë të LDK-së të mbajtur të dielën e 31 majit.