Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Një orë e gjysmë vonesë, seanca e jashtëzakonshme nuk nis ende

Edhe pse sipas kohës do të duhej të fillonte seanca plenare e planifikuar për orën 10:00, ku në rend dite ishin 20 pika ndër to dy interpelanca njëra për kryeministrin Ramush Haradinaj e tjetra për Ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, ende nuk ka filluar seanca e jashtëzakonshme e orës 9:00 e cila është ftuar nga vetë kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri  Veseli pas mbledhjes së Kryesisë e cila u mbajt me 6 mars tha se të enjten me 07 mars në ora 09:00 do të ketë seancë të jashtëzakonshme për Platformën e Dialogut me Serbinë.

“Nesër në ora 09:00 do të ketë seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj për Platformën e Dialogut. Kryeministri ka të drejtë me caktu datën dhe orën dhe do të mbahet një orë para se të fillojë seanca tjetër”, kishte thënë Veseli.

Pas orës 9:00 janë parë vetëm dy deputetë në sallë, ndërsa edhe pse shënon ora 10:30 ende deputetët nuk i kanë zënë vendet e tyre për t’i nisur punimet.