Foto: Ilustrim

Një grevë ndalet, tjetra nis: Minatorët e ‘Trepçës’ ndalin punën

Minatorët e Trepçës sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme pasi kanë vlerësuar se nuk janë përmbushur premtimet e qeverisë në kërkesat e tyre.

Ata thanë se kjo grevë do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave.

Presioni ndaj qeverisë me anë të grevave po rritet ditëve të fundit dhe minatorët janë kategoria e tretë e punëtorëve që kanë hyrë në grevë pas punëtorëve të administratës së gjykatave e prokurorive dhe punëtorëve të Postës së Kosovës. Megjithatë, këta të fundit, pas një takimi me ministrin re Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sot i kanë dfhënë fund grevës së tyre dhe i janë kthyer detyrave të punës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kryetari i Sindikatës së minatorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku ka thënë se greva e përgjithshme e minatorëve do të zgjasë deri në përmbushje të kërkesave të punëtorëve e sidomos kërkesat sociale.

“Me 18 dhe 19 qershor ne kemi paralajmëruar institucionet me një grevë një orëshe  dhe kanë pasur kohe deri me 25 qershor. Ne me datën 22 kemi marrë një shkresë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe nga Komisioni Parlamentar, që t’u jepet afat dy javor që të punohet në kërkesat e minatorëve, por kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot, kjo grevë do të zgjasë deri në përmbushje të kërkesave, ne sot kemi biseduar me minatorët  dhe kemi kërkuar edhe një ditë kohë që t’i bindim institucionet por ata nuk kanë pranuar dhe kanë shpallur grevë të përgjithshme”, tha Sadiku për KALLXO.com.

Sadiku i tregoi kërkesat e minatorëve..

“Ne kërkojmë që këto kërkesa të përmbushen: të gjitha vendburimet përreth minierës edhe zonat e interesit të Trepçës të përfshihen në draft-statut, problemet sociale të punëtorëve të zgjidhen edhe të shkojnë paralelisht në draft statut e të votohen në Kuvendin e Kosovës, të gjitha asetet e “Trepçës”  të futen me një nen të veçante në draft-statut dhe aksionet e punëtorëve nuk janë te definuara as me ligj e as me draft statut, se kush është aksionar i 20%, e që duhet të definohen patjetër”, tha Sadiku.