Foto: Facebook/Ali Sinani

Një ditë para se të formohet Ushtria vdes nënoficeri i FSK-së

Një ditë para se të votohet pako e projektligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, ka ndërruar jetë nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ali Sinani.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i FSK-së, Rrustem Berisha përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ku edhe i ka shprehur ngushëllime familjes.

“Me dhimbje e mora lajmin e ndarjes nga jeta të nënoficerit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kapter Ali Sinani.  Kapter Ali Sinani, një jetë të tërë ia kushtoi krijimit të Shtetit të Kosovës, si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e pastaj pjesëtar i TMK-së dhe që nga themelimi i FSK-së, ka shërbyer me përkushtim të madh në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj . Në emër timin dhe të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të kapterit Ali Sinani. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Berisha.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj e ka quajtur lajm pikëllues vdekjen e Ali Sinanit.

“Pikëllues lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të Ali Sinanit, i cili i shërbeu me nder e devotshmëri Kosovës në luftë dhe në paqe. Ngushëllime të sinqerta familjes Sinani, bashkëluftëtarëve dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në ‘Facebook’.