Një Dekadë Shtet, Sfidat Ekonomike

Në kuadër të manifestimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës sot organizon konferencë me akterët relevant për të shpalosur të arriturat dhe sfidat e dekadës së pavarësisë.

“Kosova ka shënuar progres në këtë dekadë të shtetndërtimit, por sfidat mbeten akoma të mëdha. Ato janë adresuar ndër vite, por disa nga to, për shkak të një agjendë të ngarkuar politike, kanë mbetur ende të pazgjidhura. Megjithatë Kosova ka shënuar hapa konkret në krijimin e kushteve të favorshme për të bërë biznes në vendin tonë”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

“Bartës kryesor i proceseve pozitive ekonomike në Kosovë dhe krijimit të mirëqenies në vend është sektori privat. Për të shënuar një dekadë të kontributit të sektorit privat në ndërtimin e shtetit, Oda Ekonomike e Kosovës do të organizojë një aktivitet gjithëpërfshirës, me akterët kryesor të proceseve zhvillimore”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Ky aktivitet do të organizohet nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi.

“Pjesë kryesore të këtij aktiviteti do të jenë: Diskutimet nga bartësit kryesor të institucioneve të Republikës të Kosovës; ndarja e medaljeve presidenciale për ndërmarrjet me kontributin më të madh në punësim, buxhet dhe eksport; si dhe ekspozita e prodhimeve vendore. Në këtë aktivitet përveç ekspozimit të produkteve kosovare, do të prezantohet një raport i shkurtër mbi sfidat e eksportuesve kosovar në tregun vendor dhe atë të jashtëm”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.