UNDP lason raportin “Vlerësimi i nevojave për shkathtësi: Identifikimi i Nevojave të Punëdhënësve” – Foto: Facebook

Niveli i Mesëm i Shkollimit më i Kërkuari në Tregun e Punës

Niveli i mesëm i përgjithshëm i arsimimit është më i kërkuari në tregun e punës sa i përket nivelit të përgjithshëm të edukimit për të punuar në një kompani kosovare.

Ky është përfundimi i raportit të UNDP-së “Vlerësimi i nevojave për shkathtësi: Identifikimi i Nevojave të Punëdhënësve”, që u lansua sot.

Raporti paraqet një analizë gjithëpërfshirëse të të dhënave të mbledhura nga anketa me 567 kompani private.

Sipas anketës së bërë del se shumë kompani kanë vështirësi për gjetjen e punëtorëve kryesisht për shkak të mungesës së aplikuesve me shkathtësitë adekuate.

“Ky raport ka për qëllim identifikimin e shkathtësive apo zotësive të nevojshme të fuqisë punëtore nga perspektiva e punëdhënësve, me fokus në 6 sektorë strategjikë, të cilët janë identifikuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si sektorë me më shumë potencial për rritje ekonomike, për punësim dhe për uljen e deficitit kombëtar në Kosovë”, ka thënë Teuta Purrini-Xhabali, autore e raportit.

Sektorët të cilët janë të përfshirë në analizë janë: përpunimi i ushqimit dhe paketimi, sektori i teknologjisë informative, përpunimi i metaleve, tekstili-veshmbathja, turizmi dhe përpunimi i drurit.

Sipas Raportit del se bizneset që operojnë në  Kosovë janë kryesisht të vogla dhe kjo është arsyeja se përse të punësuarit kosovarë obligohen të kryejnë më shumë punë se sa kolegët e tyre në vendet e tjera.

“Të punësuarit kosovarë kryejnë më shumë punë se sa nëse mund t’i quajmë kolegët e tyre të punësuar në vendet e tjera, sepse bizneset në Kosovë janë kryesisht të vogla”, ka thënë Purrini-Xhabali.

Sipas raportit, përqindja më e madhe e grave është e fokusuar te tekstili, kurse ajo e të rinjve te sektori i teknologjisë dhe informatikës.

“Pjesëmarrja më e madhe e grave është te tekstili, 85% në rrobaqepësi dhe 75% në teknikat e qepjes, ndërsa të rinjtë prijnë te sektori i teknologjisë dhe informatikës”, tha ajo.

Ndërsa, tri profesionet kryesore që kanë pasur më së shumti vështirësi në punësimin e punëtorëve me aftësi të nevojshme për t’i kryer këto punë është ai i modelistëve në kuadër të sektorit të tekstilit, profesioni i punuesve të drurit dhe profesioni i mishtarit.

Raporti u tha se do të ndihmojë për të parë se cilat janë kërkesat e punëdhënësve, do t’i ndihmojë hartuesit e politikave për trajnim dhe arsimim, në mënyrë që të zhvillohet ose përgatitet fuqi punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës.

Redaktoi: Naser Sertolli