Natalya Apostolova | Foto: KALLXO.com

Nisma për Specialen Përmendet në Strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor

Më 6 shkurt pritet të publikohet Strategjia për Ballkanin Perëndimor e Bashkimit Europian me theks të veçantë për Kosovën.

Shefja e Zyrës së BE-së për Kosovë, Natalia Apostolova nuk mohoi që në raportin apo strategjinë e vendit për Kosovën mund të përfshihet edhe sjellja e Kosovës karshi Gjykatës Speciale, përkatësisht nisma e deputetëve për ta shfuqizuar atë.

Në një intervistë për Emisionin ‘Jeta në Kosovë’, e pyetur nga Jeta Xhara se a do të përmendet nisma për shfuqizimin për specialen, ajo tha ‘Natyrisht se po’.

“Natyrisht që po, Kosova është pjesë e regjionit të Ballkanik Perëndimor. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme është një ngjarje tjetër e rëndësishme. Pra, do të jetë Samiti i Sofjes, ngase siç e dini Presidenca e Bullgarisë sapo ka filluar. Pra, për herë të parë në një farë mënyre, pas përfundimeve që janë dhënë në Selanik, ne do të kemi një takim ku Ballkani Perëndimor do të diskutohet si rajon i tillë. Pas presidencës së Bullgarisë, do të vijë presidenca e Austrisë”, tha Apostolova.

Ajo megjithatë tha se nuk mund të japë detaje lidhur me përmbajtjen e strategjisë që sipas saj ende nuk është finale.

“Kjo strategji është ende dokument punues, prandaj edhe nuk do të komentoj mbi përmbajtjen e tij ngase nuk është version final, por vjen si rezultat i përmendjes nga Presidenti Juncker të vendeve që janë në krye të listës për procesin e anëtarësimit, por këta prijës nuk mund të izolohen nga i gjithë regjioni, prandaj po them që është një dritare e mundësisë për të gjitha vendet e Ballkanik Perëndimor, që të performojnë, që të japin sinjale të mira që kuptohen drejt se çka duhet të bëhet dhe në këtë periudhë kohore që Komisioni të ketë rezultate”, tha ajo.