Milaim Zeka - Arkiv

Nisma komenton deklarimet e Milaim Zekës për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka ditë më parë ka deklaruar se do ta jap votën e tij për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, nëse kjo gjë varet nga vota e tij në Kuvend.

Por në Nismën Socialdemokrate thonë se deputeti Zeka çdo herë ka qenë i pavarur në qëndrime.

Deputeti i Nismës, Haxhi Shala në një prononcim për KALLXO.com, fillimisht tha se nuk e ka dëgjuar deklarimin e Zekës.

“Nuk e pasna dëgju atë. Më së pari, Milaimi nuk ka qenë deputet i Nismës, por ka qenë në grup të Nismës sepse ka hy në listë, kush i ka fitu zgjedhjet. Dhe me sa jeni në njohuri ju dhe gjithë opinioni është i njoftuar që Milaimi  çdo herë ka qenë i pavarur si deputet dhe duhen të jenë kështu edhe të gjithë deputetët, të pavarur dhe të vendosin vetë për votën e vet, në qoftë se duam demokraci dhe ai e shfrytëzon të drejtën për demokraci të lirë”, ka thënë deputeti Shala për KALLXO.com.

Partitë opozitare në Kosovë, LDK, Lëvizja Vetëvendosje dhe PSD-ja së fundi kanë zhvilluar takime për bashkërëndimet lidhur me sigurimin e votave për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj.