Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Nis nesër në Prishtinë një konferencë për sigurinë në trafik

Organizuar nga Asociacionit Kosovar i Motorizimit “AMRKS”, Institutit të Sigurisë Rrugore dhe Hulumtimeve në Transport, Forumit të Kosovës për Sigurinë në Rrugë dhe kolegji “Tempulli” nis nesër në Prishtinë konferenca e gjashtë ndërkombëtare “Inspektimi, auditimi dhe rëndësia e sistemeve inteligjente në transport”.

Konferenca organizohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit dhe është paraparë të hapet nga ministri Pal Lekaj.

Pjesëmarrësit në konferencë do të jenë përfaqësuesit e MIT-së, Ministrisë të Punëve të Brendshme, MAShT-it, Komunës së Prishtinës, Policia e Kosovës, OSBE, KFOR-i, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Federata Europiane për Viktimat e Trafikut Rrugor-FEVR, Federata Ndërkombëtare të Rrugëve, Këshilli Europian për Siguri në Transport-ETSC, etj.

Ndërsa, sipas organizatorëve do të ketë edhe një prezantim online nga Federata Ndërkombëtare të Rrugëve me seli në Gjenevë dhe pjesëmarrjen e Presidentit te Federatës Europiane për Viktimat e Trafikut Rrugor-FEVR me seli ne Bruksel.

Muhamed Krasniqi, drejtor i kolegjit “Tempulli”, një nga bashkorganizatorët e kësaj konference, ka pohuar për KALLXO.com se gjatë konferencës do të diskutohen temat si: rritja e sigurisë në trafik si faktor kyç në parandalimin e aksidenteve në rrugë, menaxhimi i sigurisë rrugore, praktikat ndërkombëtare në inspektimin dhe auditimin e rrugëve, domosdoshmëria e aplikimit të sistemeve inteligjente si dhe Autostrada e Paqes e cila, sipas tij,  do të prezantohet si një mundësi tjetër për lidhjen me shtetin fqinj – Serbinë.

“Nga vet emërtimi i konferencës kuptohet që emëruesi i përbashkët i të gjitha sesioneve te konferencës është çështja e sigurisë rrugore”, ka pohuar Krasniqi, duke shtuar se gjatë kësaj konference do të diskutohet edhe propozim-projekti i afaristit medvegjas Marco Saljihu.

Projekti i Saljihut, sipas Krasniqi është një projekt mjaft interesant i cili duhet të merret seriozisht nga Qeveria e vendit, që parasheh që ndërtimin e autostradës Durrës – Prishtinë – Nish me një segment kalimi nga Medvegja.

Ndërkaq në një prononcim për KALLXO.com afaristi Marco Saljihu ka pohuar se ndërtimi i  kësaj autostrade me një segment kalimi nga Medvegja do të sillte për shqiptarët në Serbi (Luginën e Preshevës) jo vetëm  nxitje dhe zhvillimin ekonomik, por edhe interesim të investitorëve për këtë komunë.

“Shqiptarët janë ndër etnitë më të diskriminuara në Serbi, trajtimi jo i barabartë i tyre dhe mungesa e planeve të zhvillimit për komunat shqiptare, shprehur në mënyrë të vazhdueshme edhe nga BE në raportin e progresit për Serbinë, po e cenojnë gjithnjë e më shumë popullatën autoktone të tre komunave shqiptare në Serbi”, ka pohuar Saljihu.

Konferenca do të zgjas deri më 27 të këtij muaji.