Nis Gjyqi për Dallaveret me Pensionet e Familjeve të Dëshmorëve

Dy zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Bajram Pajaziti e Bajram Azemi, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, të cilën e lexoi prokurori Fetih Tunuzliu, të akuzuarit kanë nxjerrë vendime përmes të cilave i kanë sjellë përfitim të kundërligjshëm Rexhep Haxhës dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

 “Bajram Azemi ka nxjerrë vendim në vitin 2009 me të cilin Rexhep Haxhës i njihet e drejta e pensionit të familjes së dëshmorëve për djalin e tij, Bahri Haxha, i cili ishte viktimë civile e luftës. Bajram Pajaziti ka nxjerrë vendime të tjera deri më 13.10.2014, me të cilat i njihet e drejta në pension Rexhep Haxhës për djalin e tij edhe pse Rexhep Haxha s’i ka plotësuar kushtet ligjore pasi që nuk ka pasur dokument nga shtabi i TMK-së se djali i tij është vrarë si pjesëtar i UÇK-së”, tha prokurori.

Sipas aktakuzës, me këto veprime të pandehurit i kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm pasuror Rexhep Haxhës, në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 13 mijë e 900 euro.

Pjesë e aktakuzës janë Bajram Zenuni, kryesues i Divizionit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile dhe Bajram Pajaziti, drejtor në Departamentin e lartcekur.