Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Nis gjykimi ndaj Pal Lekajt

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë u mbajt seanca fillestare ndaj ministrit aktual të Infrastrukturës Pal Lekaj në një rast që ka të bëjë me kohën kur ai drejtonte komunën e Gjakovës.

Ish kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, bashkë me Ismet Isufin, Pashk Sylën, Bekim Sylën, Dafina Thaçin, Veli Hajdaragën dhe Teuta Mejzinin po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërsa Veli Hajdaraga poashtu për mashtrim të subvencioneve dhe shmangie nga tatimi.

Në gjykim nuk ka qenë i pranishëm përfaqësuesi ligjor i ATK-së, i cili nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij, ndërsa prokurori i Prokurorisë Speciale, Faik Halilaj, deklaroi se ka kushte për mbajtjen e seancës.

Fillimisht gjyqtari Shaqir Zika i ka njoftuar të akuzuarit lidhur me të drejtat e tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarës Teuta Mejzini, avokati Teki Bokshi, deklaroi se mbrojtja i ka marrë materialet por atyre u mungon prova e aktvendimit për fillimin e hetimeve.

Prokurori tha se gjykatës i është dorëzuar aktakuza dhe aktvendimi mbi fillimin e hetimeve.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Prokurori i rastit poashtu deklaroi se në seancën e ardhshme duhet të thirret përfaqësuesi ligjor i Komunës së Gjakovës, pasi që “ne si prokurori mendojmë se është palë e dëmtuar e cila duhet të jetë prezent”.

Palët theksuan se nuk kanë nevojë për leximin e aktakuzës meqenëse e njëjta gjendet në shkresat e lëndës dhe se të akuzuarit e kanë të qartë akuzat që u ngarkohen.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar se ndihen të pafajshëm në akuzat për të cilat ngarkohen.

Palët deklaruan se kanë vërejtje lidhur me shkresat e lëndës që ju ka dërguar prokuroria andaj propozuan që shqyrtimi i dytë të mos mbahet sot.

Pas vërejtjeve të bëra, gjykatësi vendosi që seanca e ardhshme të mbahet më 2 korrik, datë deri në të cilën palët kanë afat në paraqitjen e kundërshtimeve lidhur me lëndës.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Prokuroria pretendon se të pandehurit në këtë rast, duke qenë në cilësinë e personave zyrtarë për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve në periudhën kohore 2008-2012, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë përvetësuar pasurinë, e cila u ishte besuar për ta mbikëqyrur sipas pozitës zyrtare të cilën e kanë poseduar.

Sipas aktakuzës, të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikmëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

http://kallxo.com/rritet-numri-i-ish-zyrtareve-te-komunes-se-gjakoves-nen-aktakuze/

Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, po ashtu edhe i pandehuri Veli Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre.

Ministri i Infrastrukturës, pal Lekaj, në gjykatë. Foto: Kallxo.com

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezentuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, repektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë prej 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime ka kryer veprën penale mashtrim lidhur me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Pavarësisht se dëmi është shumë më i madh, për shkak të numrit të madh të fermerëve që ka qenë e pamundur të intervistohen, nuk ka qenë e mundur të përcaktohet shuma më e madhe e dëmit.

Me këtë aktakuzë rritet numri i të akuzuarve në radhët e ish-zyrtarëve të Komunës së Gjakovës.