Ngjarjet e paralajmëruara për ditën e premte, 20.07.2018

Mbahen provimet pranuese në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. (Universiteti “Kadri Zeka”, Gjilan- 09:00)

Nisin punimet për ndërtimin e rrugës në fshatin Belle, përgjatë Grykës së Deçanit. Në përurim marrin pjesë kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, etj. (Kilometri i 6-të i rrugës, afër hotel “Kalaja”- 10:00)

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, merr pjesë në vendosjen e gurthemelit të Pishinës Olimpike në Prizren, investim i MKRS-së. (Palestra Sportive “Sezai Surroi”, Prizren- 10:30)

Policia e Kosovës do të fillojë shpërndarjen e broshurave sipas projektit “Për një vit më të sigurt në trafik”, me qëllim të sensibilizimit të pjesëmarrësve në trafikun rrugor që hyjnë dhe qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës. (Pika e kalimit kufitar në Merdar- 11:00)

Kryeministri Ramush Haradinaj qëndron në vizitë pune në Komunën e Lipjanit. (Objekti i Komunës, Lipjan- 11:30)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të bashkëbisedojë me studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.(Kabineti i Presidentit- 11:30)

Komuna e Shtërpcës, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) organizojnë ceremoninë e hapjes së ndërmarrjes sociale “Shoqata e Pavarur e Grave Sevcë”. (Fshati Sevcë, Shtërpcë- 11:30)

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione diskuton lidhur me çështjen e personave të pagjetur pas samitit të mbajtur në Londër. Të ftuar janë përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Gjithashtu mban takim me një grup të studentëve nga Italia dhe përfaqësues të kontingjentit italian të KFOR-it. (Ndërtesa e Kuvendit, Salla N302- 13:00)

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pret në takim homologun e tij nga Maqedonia, Nikola Dimitrov. Mediet mund të marrin pamje nga takimi, ndërsa konferenca e përbashkët për media do të mbahet në orën 14:00. (Ndërtesa e MPJ-së- 13:15)

Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes për financimin e projektit “Ekonomia Digjitale në Kosovë”, në vlerë prej 20.7 milionë eurosh, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore. Marrëveshja nënshkruhet nga ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli. (Ndërtesa e Qeverisë, kati 11- 14:00)

Kryeparlamentari Kadri Veseli pret në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov. (Kabineti i Kryeparlamentarit- 14:30)

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pret në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov. (Ndërtesa e Qeverisë – 15:10)

Në kuadër të aktiviteteve për nder të Ditëve të Diasporë, hapet Panairi Veror 2018 . (Në qendër të qytetit të Deçanit-16:00)

Asociacioni i Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA) organizon ceremoninë përmbyllëse të dhënies së granteve. Nëpërmes skemës së granteve, të menaxhuar nga ARDA për zhvillimin e sektorit privat, financuar nga BE-ja, janë ndihmuar 111 biznese dhe janë krijuar 259 vende pune. Gjatë kësaj ceremonie, ARDA po ashtu do të ndajë 5 çmime prej 1 000 euro për fituesit e “Garës për Biznes Planin më të mirë për të rinjtë” nga secili rajon ekonomik i Kosovës. (Hotel “Sirius”, Prishtinë- 17:00)

Organizohet ngjarja “Arti i Migrimit”, që synon rritjen e vetëdijes mbi migrimin, refugjatët dhe viktimat e konfliktit, si dhe eksplorimin e kulturës dhe identitetit përmes artit publik, bisedave dhe tregimeve. (“Miqt Pub”, rr. “Tringë Smajli”, Prishtinë- 17:00)