Fotografi nga ndotja e ajrit në Prishtinë

Nga sot, institucionet publike nuk guxojnë të përdorin thëngjillin për ngrohje

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t`ua ndalojë të gjitha institucioneve publike, qendrore e lokale, të përdorin thëngjillin për ngrohje.

Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të Qeverisë me kërkesë të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

“Kërkoj që Qeveria e Kosovës të marrë vendim t`ua ndalojë shkollave, institucioneve qendrore dhe atyre lokale përdorimin e thëngjillit për ngrohje”, tha ministri Fatmir Matoshi.

Ndërsa ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi tha se që nga prilli MAShT-i u ka dërguar letër drejtorive që të ndalohet përdorimi i thëngjillit.

“Ka kohë që ne kemi marrë vendim për ndalimin e thëngjillit në shkollë. Ata e kanë këtë vendim që nga prilli”, tha ministri Bytyqi.

Sipas ministrit të Mjedisit, Fatmir Matoshi, një nga shkaktarët kryesor të ndotjes së ajrit është tymi që lirohet nga djegia e thëngjillit.