Nga shtatori Kamenica pritet të mbyllë 19 shkolla

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas deklaratave të deputetit Avdullah Hoti për mbylljen e shkollave në këtë komunë.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e quajti qasje arbitrare vendimin e Kastratit duke mbyllur shkolla pa pajtim me komunitetin.

Ndërsa, Kastrati përmes një publikimi në Facebook ka treguar arsyet e mbylljes së nëntëmbëdhjetë shkollave fillore në Komunën e Kamenicës.

Kastrati ka thënë se arsye e mbylljes së shkollave janë kushtet e këqija higjienike në këto shkolla.

“Nëse vërtetë është i shqetësuar z. Hoti, e ftojmë të vijë në Komunën e Kamenicës dhe të vizitojë shkollën me tre nxënës në Gjyrishec, apo Sedllar me një nxënës. Apo 37% të shkollave të Kamenicës që nuk kanë mjedis higjienik. Tridhjetë e shtatë për qind. Jo 5 për qind. Jo 10. Gati gjysma e shkollave në Komunën e Kamenicës nuk kanë as mjedis higjienik. Lista e problemeve në shkolla është e gjatë. Dhe është nxënësi i Kamenicës që po përballet me këto probleme.

Arbitrar nuk jemi ne z. Hoti, por është Udhëzimi i MASHT-it për Planifikimin e Investimeve Kapitale, përkatësisht neni 3, pika 2 dhe nënpikat e tij, që e pamundëson planifikimin dhe renovimin e shkollave fillore dhe të mesme me më pak se 210 nxënës, e paraleleve të ndara me më pak se 84 nxënës. Arbitrare ka qenë indiferenca e pushteteve që nga paslufta, e që një pjesë të madhe ka qenë edhe partia juaj, për të vepruar në këtë drejtim. Andaj, nëse vërtetë jeni i shqetësuar, ejani shiheni vet dhe do të bindeni”, ka shkruar Kastrati.

Ndryshe, 19 shkolla pritet të mbyllen në Kamenicë në muajin shtator, sipas vendimit të kreut të kësaj komune Qëndron Kastrati për shkak të gjendjes së keqe në të cilën ndodhen ato.