Nexhat Kryeziu Foto: Levizja Vetevendosje

Nexhat Kryeziu: Nuk e liroj vendin për teke të Shpend Ahmetit

Nexhat Kryeziu, që po vazhdon të qëndrojë në krye të Ndërmarrjes Publike Banesore në një intervistë për KALLXO.com tha se nuk e ka ndërmend të largohet nga ndërmarrja për ‘teke’ të Shpend Ahmetit e Dren Kukajt dhe në rast se vjen deri te reagimi i Policisë, ata prapë do qëndrojnë në Ndërmarrje.

KALLXO.com raportoi ekskluzivisht se Komuna e Prishtinës sot gjatë ditës ka dorëzuar një kërkesë në Policinë e Kosovës që të mundësojë të emëruarit të Komunës si kryeshef, Hajdar Hoxhës, të mund të hyjë në objektin e NPB-së.

“Unë nuk e liroj vendin për teke të Shpend Ahmetit e Dren Kukajt, e liroj me vendim të bordit të drejtorëve, qysh e përcakton ligji”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Sipas tij, nëse Policia do të reagonte në këtë rast, do luante rolin e Gjykatës.

“Këtu bëhet një precedent i madh, ku Policia e luan rolin e Gjykatës edhe e përcakton se kush ka të drejtë e kush s’ka të drejtë. Mendimi i jonë është që nuk ish dashtë assesi që Policia të merret më këtë çështje”, tha në mes tjerash Kryeziu për KALLXO.com

Kryeziu është i bindur që nëse Policia do të vjen në NPB do t’i gjejë aty dhe thotë se nuk e di se çka do të bëjnë me Policinë.

“Na jemi brenda, jemi në ndërmarrje, çdo tendencë e tillë është jolegale, jolegjitime edhe nuk e di se çka mundemi me ba me Policinë e Kosovës, por na do të jemi aty”, tha tutje ai për KALLXO.com.