Lumbardhi në Pejë

Nesër ZRrE-ja diskuton për hidrocentralet në Shtërpcë dhe Deçan

Nesër do të mbahet mbledhja e tretë e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2019.

Në rend të ditës për t’u diskutuar janë 15 pika. Ndër to, është edhe diskutimi për modifikimin e autorizimit final për ndërtimin e hidrocentralit në Lumbardh të Deçanit dhe në Shtërpcë.

“Shqyrtimi i kërkesës së shoqërisë “Kelkos Energy” Sh.P.K për modifikimin e autorizimit final V_568_2013 për ndërtimin e hidrocentralit HC Lumbardhi II, me kapacitet total të instaluar prej 6.2 MW, ZK Deçan, Komuna e Deçanit”, thuhet në rendin e ditës.

Në përgjigjen e ZRrE-së për KALLXO.com thuhet se bazuar në Rregullën për Procedurën e Autorizimit të Ndërtimit të Kapaciteteve të Reja të bazuara në Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, konkretisht nenin 19, 20 dhe 21 të kësaj rregulle, modifikimi i Autorizimit mund të iniciohet nga Rregullatori ose nga mbajtësi i Autorizimit.

“Zakonisht modifikimet kanë të bëjnë me specifika teknike të cilat zhvillohen gjatë realizimit të projektit. Modifikimet e tilla janë në ingirencat e vendimmarrjes së Bordit për tu lejuar ose jo, bazuar në arsyeshmërinë e kërkesës dhe mbështetjen ligjore që ka ajo”, thuhet në përgjigje.

Përveç hidrocentralit në Lumbardh të Deçanit, si pikë e 8-të dhe 9-të e rendit të ditës për këtë mbledhje është edhe hidrocentralet në komunën e Shtërpcës.

“Shqyrtimi i kërkesës së shoqërisë “Matkos Group” Sh.P.K, për shtyrje të Afatit të Vlefshmërisë së Vendimit për Autorizim Final V_760_2016, për vazhdimin e punimeve për finalizimin e projektit HC “Sharri” me kapacitet të instaluar 6.45 MW, ZK Shtërpcë, KK Shtërpcë”, thuhej në pikën 8-të rendit të ditës.

Përderisa në pikën 9-të të rendit të ditës është shqyrtimi i kërkesës së “Matkos Group” për shtyrje të  Afatit të Vlefshmërisë së Vendimit për Autorizim Final për vazhdimin e punimeve për finalizimin e projektit HC “Shtërpcë ” me kapacitet të instaluar 5.031 MW në Shtërpcë.

Në përgjigjen e ZRrE-së thuhet se çdo pikë e rendit të ditës propozohet nga departamentet përkatëse të ZRrE-së bazuar në procedurat dhe rregullat për funksionimin e ZRrE-së.

Banorët e komunës së Shtërpcës kanë protestuar vitin e kaluar dhe këtë vit kundër ndërtimit të hidrocentraleve nga “Matkos Group”.

Sipas banorëve, me punimet që po zhvillohen për ndërtimin e hidrocentralit në “Obe Reke” po e dëmton rrjedhën e lumit dhe cilësia e ujit të cilin e përdorin për pije.

Peticionin që e kanë nisur qytetarët e pakënaqur të Shtërpcës, e kanë nënshkruar edhe kryetari i Komunës, Bratislav Nikoliq, kryetari i Kuvendit Komunal, Predrag Grbiq, bashkëpunëtorët e tij, tre përfaqësues të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, si dhe ministri për Kthim, Dalibor Jevtiq”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtërpcës.

https://kallxo.com/banoret-e-shterpces-kembengules-kunder-ndertimit-te-hidrocentralit/

Probleme me hidrocentrale kanë pasur edhe në komunën e Deçanit.

Banorë të qytetit të Deçanit janë alarmuar nga rritja shumë e shpejtë e projekteve zhvillimore që rrezikojnë lumenjtë dhe bjeshkët nga degradimi ambiental por dhe që kanë efekt direkt në jetën e popullatës atje.

Komuna e Deçanit kishte paralajmëruar padi për arsye të mos implementimit të kompetencave nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe për shkak të mos respektimit të minimumit ekologjik në Lumbardhin e Deçanit nga SHPK “Kelkos Energy”.

“Kompania SHPK “Kelkos Energy” e cila ka ndërtuar hidrocentralet përgjatë Lumbardhit të Deçanit, për prodhimin e energjisë nuk është duke e respektuar minimumin ekologjik të Lumëbardhit të Deçanit. Njëkohësisht departamenti i ujërave dhe inspektorati të cilët janë në kudër të MMPH-së nuk i  ka zbatuar dhe nuk po i zbatojnë përgjegjësitë ligjore për ruajtjen e minimumit ekologjik ne raport me operatorin ekonomik SHPK “Kelkos Energy””, thuhet në njoftimin e Komunës së Deçanit.

Çështja e ndërtimit të hidrocentraleve u debatua në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, të moderuar nga Jeta Xharra, në muajin shtator të vitit 2018.

Pjesëmarrës në debat ishin: Besfor Kosova nga KOSID, Gani Berisha nga Ministria e Ambientit, Ellen Frank – Organizata Era Group, Adriatik Gacaferi  aktivist nga Deçani, Bledor Tolaj, banor, Bekim Shyti nga Shoqata për energji te riperteritshme, Baton Begolli nga Këshilli ndër-ministror për ujë e të tjerë…

https://kallxo.com/vuajtja-e-grykes-se-decanit-nga-hidrocentralet-foto/

Në fund i ka ardhur radha komunës së Pejës, ku ndërtimi i hidrocentralit në lumin Lumbardh ka ngritur në këmbë Komunën, qytetarët dhe shoqërinë civile.

Qytetarët e Pejës kanë mbajtur protesta kundër ndërtimit të hidrocentralit. Pas këtyre protestave kryeministri Haradinaj ka kërkuar ndërprerjen e procedurave të ndërtimit të projektit të hidrocentralit të Lumbardh.  

Përveç kryeministrit edhe Kuvendi Komunal i Pejës i ka thënë ‘jo’ ndërtimit të hidrocentralit në Lumbardh. 

Komuna e Pejës ka organizuar seancë të jashtëzakonshme për të kundërshtuar këtë projekt.

32 asamblistë kanë votuar pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër.

Po ashtu, kundër ndërtimit të hidrocentralit kanë dalë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, mbi 120 organizata të ndryshme, që i kanë dërguar letër të hapur Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike për ta kundërshtuar idenë që një kompanie austriake e cila po synon të ndërtojë hidrocentral në lumin Lumbardh t’i jepet statusi i ‘investitorit strategjik’.

https://kallxo.com/shoqeria-civile-leter-te-hapur-ministrave-e-deputeteve-thuani-jo-ndertimit-te-hidrocentralit-ne-lumbardh/

www.kallxo.com