Ramush Haradinaj - Foto: Twitter

Nesër Vendimi për Ramush Haradinajn

Gjykata e Apelit e qytetit francez Colmar pritet që nesër të marrë vendim rreth rastit të ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Drejtësia franceze pritet të vendosë rreth kërkesës së Serbisë për ta ekstraduar ish-komandantin e njohur të UÇK-së, t’ia vazhdojë lirimin me kusht apo ta lirojë plotësisht.

Një ditë pas ndalimit në Francë, bashkëpartiakë, bashkëluftëtarë e qytetarë të shumtë organizuan në Prishtinë një marsh paqësor duke kërkuar lirimin e Haradinajt.

Protesta e tubime janë organizuar ndërkohë edhe në shumë qytete të tjera të Kosovës, por edhe në Evropë e ShBA.

http://kallxo.com/ne-gjakove-kerkohet-lirimi-haradinajt-nga-burgu-francez/

Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën për të diskutuar për arrestimin e tij, duke provuar të nxjerrin një rezolutë të përbashkët, e cila dështoi për shkak se iniciuesit e kësaj rezolute, AAK-ja, së bashku me deputetët e partive të tjera opozitare kërkonin ndër të tjera edhe ndaljen e procesit të dialogut me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel.

E Qeveria serbe nuk ndejti duarkryq. Ata menjëherë nisën procedurat duke kërkuar ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Megjithatë, gjykata franceze ende nuk ka marrë një vendim të prerë për rastin e Haradinajt.

Më 12 janar, Gjykata e Apelit në qytetin e Colmarit e liroi Haradinajn me kusht, duke e “detyruar” që të paraqitet 2 herë në javë tek autoritetet franceze.

Më 9 shkurt, Haradinaj kishte dalë përsëri para Gjykatës së Colmarit, ku kishte thënë se nuk pranon të ekstradohet në Serbi, për shkak se arrestimi i tij është krejtësisht politik.

http://kallxo.com/haradinaj-mbetet-ne-france/

Në po atë ditë, Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta shtyjë deri më 2 mars, kur edhe do të marrë vendimin.

E lirimin e Haradinajt e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e lartë shtetërorë, Presidenti, Kryeministri e Kryetari i Kuvendit.