Kuvendi i Kosovës | Foto: KALLXO.com

Nesër Vazhdon Seanca për Thaçin

Nesër pritet që deputetët ta votojnë një rezolutë në lidhje me arrestimin e Nehat Thaçit, drejtorit të Policisë Rajonale në Mitrovicë nga policia serbe, pasi sot nuk mundën ta bënin këtë gjë.

Pak para se vazhdimi i seancës të shtyhej për nesër, në Kuvend ishin të pranishëm vetëm 44 deputetë.

I përballur si edhe hera tjera me mungesë kuorumi, kryeparlamentari Kadri Veseli kërkoi mendimin e propozuesit të seancës së sotme Gëzim Kelmendi.

“Edhe nëse dojmë të procedojmë, nuk mund të procedojmë se nuk kemi kuorum të mjaftueshëm. Fjalën e ka propozuesi,” tha Veseli.

Deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi kërkoi që teksti i propozim-rezolutës të harmonizohet dhe votohet sonte.

“Sonte me përfaqësues të grupeve parlamentare të mblidhemi, ta harmonizojmë atë tekst e sonte ta votojmë. Se Nehati e meriton me nejt ktu jo deri vonë, po deri në mëngjes,” tha Gëzim Kelmendi.

Por më pas Kadri Veseli bëri të ditur se puna e mbetur do të kryhet nesër.

“Nesër do të mbajmë seancë (vazhdim) në ora 10 në mengjes, bëj thirrje publike që deputetët me marrë pjesë ne senacë. Nuk ka mëditje për ata që nuk vijnë me votu. Po ashtu nesër në ora 9 grupet parlamentare ta dërgojnë nga një përfaqësues tek propozuesi i seancës (Gëzim Kelmendi) për harmonizimjn e tekstit të draft-rezolutës që do t’i paraqitet më pas Kuvendit,” tha Veseli.

Nehat Thaçi u arrestua nga Policia e Serbisë më 29 shtator në njërën nga pikat kufitare të Kosovës me këtë shtet. Atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh, ndërsa po hetohet për terrorizëm.