Shefqet Krasniqi në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Nesër Seanca e Radhës në Gjykimin e Shefqet Krasniqit

Shefqet Krasniqi nesër do të përballet përsëri në gjykatë me akuzat për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar dhe për shmangie nga tatimi.

Në seancën e nesërme pritet të dëgjohet një zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës lidhur me pikën e akuzës për shmangie nga tatimi, i ftuar sipas detyrës zyrtare nga vetë Gjykata.

Në seancën e fundit të mbajtur lidhur me këtë rast, Krasniqi ka paraqitur mbrojtjen e tij duke thënë se ishte prej të parëve që kanë bërë thirrje për mosshkuarje në Siri.

Në seancën e zhvilluar më 14 dhjetor 2017, KALLXO.com raportoi se Shefqet Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

Në aktakuzë konstatohet se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun. Përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.

Sipas aktakuzës, Krasniqi ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve sunitë, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë të përgjithshme prej  20,208.57 €.

Të gjitha këto pretendime të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës janë mohuar nga Krasniqi që është deklaruar i pafajshëm.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për rrjedhën e hetimit ndaj Shefqet Krasniqit ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.