Rrahman Jasharaj - Foto: KALLXO.com

Nesër Nuk Mbahet Mësim, Shkollat Fillore, të Mesme dhe Universitetet në Grevë

Shkollat fillore, ato të mesme dhe universitetet nuk do të mbajnë mësim për shkak të grevës së paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha për KALLXO.com se nesër greva do të fillojë në orën 09:00 dhe do të mbarojë në orën 12:00.

Në një bisedë telefonike ai tregoi se greva do të përfshijë shkollat fillore, të mesme dhe universitetet.

“Ne po vazhdojmë edhe me takime me institucione por ata po hezitojnë sepse po thonë që ende nuk kanë gjetur vijë të drejtë sa i përket buxhetit të viteve të 90-ta. Do të jemi në grevë të gjithë: shkollat fillore, të mesme dhe universitetet”, tha Jasharaj.

Ai shtoi se nëse Qeveria e Kosovës nuk merr masa pas datës 12 mars, do të mbahen edhe greva të tjera.

“Urojmë që Qeveria ta kuptojë seriozisht vërejtjen tonë. Nëse gjërat nuk shkojnë ashtu siç kemi kërkuar ne, atëherë ne do të mbajmë edhe greva të tjera të cilat janë të parapara”, tha më tutje Jasharaj.

Sipas kryetarit të SBAShK-ut, Qeveria e Kosovës duhet të dërgojë në Kuvend Ligjin për kompensimin e mësimdhënësve të viteve të ’90.

“Urojmë që greva e nesërme të reflektojë dhe Qeveria e Kosovës ta marr me seriozitet çështjen tonë, të ulen dhe të marrin veprime konkrete”, tha ai.

Sipas tij nëse nuk përmbushen obligimet ndaj mësimdhënësve të viteve të 90-ta, mësimdhënësit do të shkojnë në grevë nga data 13 prill, por pa treguar se kur do të përfundojë ajo.

I pyetur se si do të kompensohen orët e humbura për nxënësit, Jasharaj tha se Ministria e Arsimit ka për detyrë të bëjë një plan-program për orët e humbura mësimore.

“Besoj që ministria së bashku me SBAShK-un të ulen dhe të zgjidhim këto probleme. Ministria e Arsimit duhet ta bëjë një program për kompensim të pushimit shkaku i kushteve klimatike edhe për këtë ditë, nëse greva vazhdon është çështje e qeverisë që pas 12 marsit”, tha në fund Jasharaj.