Nesër në Kino Armata shfaqet opera ‘Gof’

Opera moderne “Gof” e realizuar nga  Festivali “Tingujt e flautit” dhe ansambli “Rexho Mulliqi”  do të jepet nesër, më 15 maj 2019, në ora 21:00 në Kino Armata në Prishtinës.

Realizimi i kësaj opere vjen pas një mungese shumë vjeçare të veprave operistike në vend.

Opera është realizuar sipas veprës së Anton Pashkut me të njëjtin titull, me muzikë dhe libreto nga Liburn Jupolli, ndërsa sjellë në vëmendje rrugëtimin fizik dhe virtual të tri personazheve përmes së cilëve pasqyrohet vetëdija njerëzore në rrethana të izolimit, ku shpërfaqen tri forma të konceptit të lirisë në shoqërinë bashkëkohore kosovare.

Në një konferencë të organizuar për media të mbajtur sot, në vigjilje të premierës, stafi i operës shpalosi arsyet dhe sfidat deri në realizimin e kësaj vepër.

Autori Operës Liburn Jupolli ka pohuar me këtë rast se opera “Gof” është një shfaqje opere moderne e realizuar me një ekip të vogël dhe me efekte video- teknike e elektroteknike.

Sipas tij, opera është e bazuar në dramën e Anton Pashku e shkruar për shqiptarët e viteve të tridhjeta, por me mjaft aktualitet edhe për kohën e sotme.

“Këtë projekt e kemi nisur gati dy vjet më parë, dhe besoj se kemi arritur të realizojmë një formë bashkëkohore të operës që do të pëlqehet nga publiku”, ka thënë ndër të tjerash Jupolli.

Ndërsa baritoni Armando Likaj, që në shfaqje interpreton rolin e Luluas, ka potencuar ndër të tjerash, se ndihem mirë që për herë të parë është pjesë e një opere të stilit kontemporane.

“Shfaqja ka një mesazh unik dhe mendoj se publiku do ta vlerësojë dhe kuptojë bukuritë e fjalëve të Gofit me muzikën e magjishme që ka krijuar kompozitori Jupolli”, ka thënë baritoni Likaj.

Kurse Tenori, Luan Durmishi që interpreton rolin e Lulanit, është shprehur se “Gof’ është një projekt i rëndësishme për kulturë, ndërsa ka veçuar temën të cilën e trajton

“Unë jam ithtar i realizimit të projekteve të tilla të cilat godasin realitetet e hidhura që kalojnë vendet dhe që kanë problem të natyrës politike, të cilat goditën përmes ‘Gof’”, ka thënë Durmishi.

Pavarësisht se shfaqja do të jepet në një sall kinemaje e jo në një sallë operash, stafi i operës është shprehur se kanë arritur të bëjnë adaptimin adekuat, duke u nisur edhe nga fakti se opera moderne japin mundësi për adaptime dhe shfaqje edhe në salla që nuk janë të dedikuara për shfaqje operistike.

Pjesë e shfaqjes do të jetë edhe balerini Sinan Kajtazi, i cili do të luajë rolin e Lulashit në këtë shfaqje. Ndërsa kompozitori Jupoli  do të interpretojë edhe në instrumente dhe efekte elektronike, kurse Erëmira Çitaku që do të interpretojë në flaut dhe okarinë.